Gusht i nxehtë, siç e ka caktuar Zoti. Vendos të dal për një ajër të freskët. Futem në ashensor dhe shtyp butonin për katin përdhe. Ashensori ndalon një kat më poshtë, në të 6-in. Dera hapet dhe komshiu i moshuar që banon në atë kat futet brenda.
Por nuk është vetëm. Shtanga! Përpara shtyn dy pula dhe dy kapoj deti. Kujtoj që është akoma gusht dhe Viti i Ri ende larg. Plaku mesa duket po i nxirrte për t’i gjezdisur te lulishtja poshtë pallatit. Prandaj kisha dy-tre netë që më dukej se dëgjoja klithma në ëndërr. S’paskan qenë ëndrrat…
Dera mbyllet dhe ashensori nis të zbresë. Unë pa fjalë. Shikoja herë kapojtë e herë pulat. Edhe ata po më shikonin drejt në sy. Të qetë. Plaku akoma më i qetë. Në moment mendova të ndaloj ashensorin e ta nxjerr plakun me gjithë pula e kapoj jashtë. Pastaj mendova të ndaloj ashensorin e të dal vetë. Pastaj mendova t’i bërtas.
Po në fakt më vinte edhe për të qeshur. Nuk bëra asgjë nga këto, po mendova më mirë ta prek plakun në sedër. Me stil. Tek e fundit, të moshuarit janë të ndjeshëm, preken lehtë. Mos po tregohem zemërgur? Jo, plaku e meritonte. Kruajta zërin. I them:
“Tani, prite kur të futet edhe ndonjë duke pire cigare brenda në ashensor…”.
Plaku: “Aaaa rrofsh o djalë, të lumtë goja, inshallah që të ndez edhe unë cigaren se paskam harruar atë dreq çakmaku në shtëpi”. Qepa gojën dhe nuk u ndjeva më.
Ashensori ndaloi në katin përdhe. Dolëm njëri pas tjetrit sipas rëndësisë së momentit: të parët kapojt, pastaj pulat, plaku dhe në fund unë. Ata drejt lulishtes, unë drejt makinës, i çliruar disi… Por jo!
Një gjëmim bubullime shoqëruar me klithma me origjinë të papërcaktueshme, se nga shpërtheu.
Jo, jo nuk ishte tritol. Ishte më keq. Ishin ata. Përsëri. Ata janë më të frikshëm se tigrat e Bengalit.
Ata nuk janë njerëz, janë jashtëtokësorë të maskuar si njerëz. Iluzionistët mund të ecin mbi ujë? Ata notojnë në tokë! Sytë e tyre të skuqur, do t’i kishte zili edhe Konti Drakula në kulmin e zemërimit. Frankeshtajni do zgjohej natën nga gjumi duke shtrënguar jastëkun në gjoks e duke qarë i trembur si fëmijë, nëse ata do i dilnin në ëndërr. Ata nuk i njohin rregullat për rregulla. Ata i hanë për mëngjes rregullat.
Për lëng pijnë qytetërimin. Pastaj gromësijnë. Edhe vetë Chuck Norris mbulohet me djersë të ftohta kur i tregojnë për bëmat e tyre.
Ata janë Terminatorët!
Ata janë evolucioni më i fundit i njerëzimit.
Ata janë Homo Sapiens Dasmorus Albanianus.
Para ditës së dasmës, një javë rresht, 24 orë në 24, artopalantët e impiantit muzikor që gati çahen nga volumi, nuk i mbajnë në shtëpi, i nxjerrin te shkallët që t’i dëgjojë gjithë pallati. Sepse Homo Sapiens Dasmorus Albanianus nuk bëjnë dasëm për qejfin e tyre, jo!
Homo Sapiens Dasmorus Albanianus bëjnë dasmë për inatin e botës!
Ata nuk mbajnë orë në dorë, e vendosin vetë sa duhet të jetë ora !
Të djelën paradite, ata nuk shkojnë thjesht të marrin nusen, jo!
Të dielën paradite ata shkojnë në luftë frontale me qytetin. Të dielën paradite ata lebetitin gjithë hallexhinjtë e pafatë (të thjeshtët Homo Sapiens) që u rastis të ecin në rrugë, apo të ngasin makinat në atë ditë, në atë orë.
Homo Sapiens Dasmorus Albanianus kanë edhe himnin e tyre të luftës, domethënë të gëzimit, pra kanë këngën e tyre. Edhe grupi death-metal, “Cannibal Corpse”, do ta kishte zili atë këngë, sepse as ata nuk kanë arritur të krijojnë diçka më terrorizuese.
Është këngë pa fjalë. Në vend të tyre ka klithma njerëzish që varen jashtë nga dritaret e makinave në ecje. Është këngë pa muzikë. Në vend të saj ka borie makinash e buçima sirenash. Homo Sapiens Dasmorus Albanianus kanë edhe trupat e tyre elitë, njësoj si marinsat amerikanë kanë specialët: Seal Team.
Trupat elitë të Homo Sapiens Dasmorus Albanianus quhen Krushqis.
Kini kujdes njerëz! Ruhuni nga Krushqis! Mos u dilni as para, as mbrapa, as anash.
Mirë është të kyçeni në shtëpi dhe të luteni. Mos dilni nëpër rrugë pa u siguruar më parë që ata nuk duken në horizont. Homo Sapiens Dasmorus Krushqis Albanianus po u vëzhgojnë. Ata janë ngado. Është dhe gusht i nxehtë përveç tyre. Zoti qoftë me ne o njerëz – Homo Sapiens të thjeshtë!
U ktheva pas për në shtëpi, sepse mendova mos të rrezikoja nëpër rrugë në kohë lufte.
Hapa derën e ashensorit dhe u futa brenda. Të paktën këtë herë isha vetëm deri në katin tim.
Ilir Metaj
