Sot, në të gjitha kazermat e FSK-së,u nderuan viktimat e terrorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para pjesëtarëve të FSK–së dhe atyre amerikanë, tha: “jemi këtu për t’i nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit, që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmi i 11 shtatorit pati tronditur jo vetëm popullin amerikan por edhe popullin shqiptar. Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-të dhanë për lirinë e saj, prandaj, edhe në këtë përvjetor shprehim falënderimin e veçantë për popullin amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,tha komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
Ndërsa, Nënkoloneli amerikan, AA. RHUS, tha:“ Jam shumë i lumtur këtu para jush, kur ju shoh, që ndani dhimbjen së bashku me ne, në nderim të viktimave të 11 shtatorit. Para një viti Kosovën e kam parë vetëm përmes televizionit dhe tani që gjashtë muaj jam këtu, në Kosovë dhe ndihem shumë i lumtur që Kosovën e kemi mikun më të ngushtë”.
Më 11 shtator të vitit 2001, terroristët sulmuan Kullat binjake në New York të SHBA-ve, ku humbën jetën mijëra civilë të pafajshëm.
