Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Fejzulla Berisha sot në një konferencë për media ka bërë prezantimin e punës gjashtëmujore të shëndetësisë primare, ndërsa ka paralajmëruar edhe fillimin e ndërtimit të objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, i konfirmuar tashmë për ndërtim nga Ministria e Shëndetësisë.
Drejtori Berisha gjatë takimit me gazetarët ka njoftuar se në këtë periudhë kohore të këtij viti ndihmën e mjekut në shëndetësinë primare e kanë kërkuar mbi 101 mijë raste.
Infrastruktura dhe pajisjet do të ndikojnë gjatë të ardhmes në cilësinë më të mirë të shërbimeve shëndetësore, duke i paraprirë sistemimi i punëtorëve nëpër QMF, me qëllim të shërbimeve më të mira për pacient.
Ai ka informuar edhe për arritjet shkencore të stafit të kësaj qendre, duke spikatur specializimin e shtatë mjekëve dhe informimin se janë duke vazhduar specializimin edhe 6 mjek të tjerë, të cilët janë të domosdoshëm në nivelin primar. Berisha ka përmendur edhe bashkëpunimin e mirë që kanë me Spitalin Regjional të Gjilanit.
Mamografi mobil ka mundësuar shërbim falas për një numër shumë të madh të grave në Komunën e Gjilanit, duke bërë të mundur të përfitojnë nga ky shërbim mbi 300 gra, tha drejtori Berisha.
