Qytetarët e rajonit të Prishtinës të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badovcit, po vazhdojnë ende të mos kenë ujë.
Kjo për arsye se pas arrestimit të disa të dyshuarve për sulme terroriste afër liqenit të Badovcit sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës, Ujësjellësi Rajonal Prishtina ka ndalur menjëherë furnizimin me ujë nga Badovci dhe ka dërguar mostrat tek Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për të verifikuar se a është i helmuar ky ujë apo jo.
E furnizimi i qytetarëve me ujë nga ky liqen do të bëhet në momentet e para kur të dalin rezultatet e analizave nga IKSH, e që priten të jenë në orët e hershme të mbrëmjes së sotme.
Këtë e konfirmoi për KosovaPress, drejtori ekzekutiv i ISHK-së, profesor Naser Ramadani.
“Ekipet janë duke punuar me intensitet të plotë duke pasur parasysh që analizat laboratorike kërkojnë një kohë. Ne po mundohemi që me një intensitet më të shtuar dhe një kohë më të shkurtër të kemi sigurinë e duhur që të lejohet apo jo furnizim me ujë të pijes nga liqeni i Badovcit…Ne mendojmë që edhe disa orë, para orëve të hershme të mbrëmjes do të jenë gati rezultatet laboratorike dhe ne do të dalim me një informatë për medie”, tha Ramadani.
Ai po ashtu shtoi se në bazë të gjendjes në teren, flora dhe fauna janë në gjendje shumë të mirë, dhe për këtë arsye nuk ka nevojë aspak për shqetësim.
I gjithë ky shqetësim ka ardhur kur Policia e Kosovës ka lajmëruar Ujësjellësin dhe Institutin Kombëtar që të ndërmarrin masa sa më shpejtë për zbulimin e cilësisë së ujit.
Mirëpo, sipas informatave të fundit, zëdhënësit i Policisë, Baki Kelani, thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi që në bazë të të gjeturave në vendin e ngjarjes, deri m ë tani, nuk ndërlidhet as edhe një element i dyshuar që ka të bëjë me ndonjë helmim të ujit.
“Në bazë të të gjeturave në vendin e ngjarjes dhe dëshmive të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, deri në këtë fazë nuk ndërlidhet as edhe një element i dyshuar që ka të bëjë me ndonjë helmim të ujit, në liqenin e Badovcit. Mirëpo ne për shkaqe sigurie, kemi angazhuar edhe institucionet relevante kompetente, në këtë rast edhe ujësjellësin në mënyrë që të bëjnë një analizë të ujit. Mirëpo nuk ka nevojë për panik të qytetarëve, sepse deri në këtë rast nuk është gjetur as element i dyshimit që të mund të jetë helmuar uji, sepse reagimet e zyrtarëve policorë kanë qenë me kohë dhe kanë arrit që t’i arrestojnë me kohë personat që janë të përfshirë”, tha Kelani.
