Bankat në Greqi nuk do të hapen sot në mënyrë që të shmanget kolapsi financiar pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore Evropiane se nuk do të shtojë fondin e emergjencave për bankat greke.
Fillimisht, lajmi është bërë i ditur nga Shefi Ekzekutiv i bankës së dytë më të madhe në Greqi, “Piraues Bank”, Anthimos Thomopoluos. Ai tha ky vendim është marrë pas një takimi të komisionit për stabilitet financiar të qeverisë.
Më vonë, i njëjti lajm u konfirmua edhe nga kryeministri grek, Alexis Tsipras. Ai i është drejtuar popullit përmes një deklarate, ku u ka kërkuar që të ruajnë qetësinë, ndërsa shtoi se depozitat e tyre ishin të sigurta.
Ndërkohë, pas konfirmimeve se nuk do të shtojë fondin e emergjencave, Banka Qendrore Evropiane deklaroi se megjithatë është e gatshme ta rishikojë vendimin e saj dhe të bashkëpunojë me bankën e Greqisë.
Tavani aktual për fondet e emergjencës së BQE-së apo asistencën e likuidetit siç njihet ndryshe, është 89 miliardë euro. Fondet në fjalë përdoren nga bankat për t’i siguruar “cash” depozituesve që kërkojnë paratë e tyre mbrapsht.
Lëvizja e Bankës Qendrore Evropiane vjen pas refuzimit të ministrave evropian të Financave për të shtyrë afatin për pagesën e këstit. Pa fonde te reja, Greqia rrezikon falimentimin
