Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, ka konfirmuar sot se ka autorizuar ish-ministrin e tij të financave, Janis Varufakis, që të përgatitë një plan, për të qenë të përgatitur për daljen e mundshme të Greqisë nga Eurozona.
Cipras tha se Athina nuk ka planifikuar tërheqjen nga eurozona, por shtoi se ekziston një plan rezervë, duke nënvizuar se edhe partnerët dhe kreditorët kanë përgatitur plane alternative për largimin e mundshëm të Greqisë nga zona e valutës së përbashkët.
Varufakis në fillim të javës shkaktoi shok në Greqi, kur konfirmoi se ka pasur një grup të fshehtë, i cili në rast nevoje do të planifikonte kalimin nga euro në drahmi.
Ai pranoi se ai dhe një mik i tij i fëmijërisë, i cili është ekspertë për kompjuterë, kanë hyrë në rrjetin kompjuterik të ministrisë së tij, e që ishte hapi drejtë krijimit të një sistemi paralel bankar, në rast të dështimit të bankave greke./21Media
