Në Greqi sot po zhvillohet referendumi për pranimin apo mospranimin e kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë për vazhdimin e ndihmave financiare për Athinën. Është ky referendumi i parë i që po zhvillohet në Greqi pas vitit 1974.
Qendrat e votimit u hapën sot në gjithë Greqinë, ku dhjetë milionë grekë me të drejtë vote patën mundësi të votojnë në referendumin për pranimin apo jo të kushteve të vendosura nga kreditorët ndërkombëtarë, në shkëmbim të pakos së ndihmave financiare për Athinën.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19, ndërsa rezultatet e para pritet të kumtohen pas orës 21.
Pyetja e parashtruar në referendum është: A duhet të pranohet projekt-propozimi i paraqitur nga Komisioni i Evropës, Banka Qendrore e Evropës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në takimin e euro-grupit më 25 qershor?”
Zhvillimin e referendumit për marrëveshjen me qeveritë evropiane, Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar e ka iniciuar Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Kreditorët e Greqisë po kërkojnë reforma, në shkëmbim të vazhdimit të pakos së ndihmave deri në nëntor, por vazhdimi i refuzuan dhe pakoja e ndihmave skadoi ashtu siç ishte paraparë më 30 qershor, pas dështimit të negociatave mes Greqisë dhe kreditorëve.
Sipas të dhënave të ministrisë greke të Financave, borxhi i përgjithshëm i vendit është 312 miliardë euro.
Në prag të referendumit u publikuan anketa, të cilat dëshmuan se numri i atyre që u shprehën për dhe kundër referendumit ishte i barabartë. Për herë të fundit grekët në referendum votuan në vitin 1974, kur refuzuan rikthimin e monarkisë, pas përmbysjes së diktaturës ushtarake./21 Media
