Grevë e hekurudhës- paralizohet Londra

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Greva e punëtorëve të metrosë në Londër ka paralizuar kryeqytetin e Britanisë. Sindikatat e metrosë organizuan grevën, për shkak të planeve që rrjeti hekurudhor të punojë 24 orë në ditë gjatë fundjavave.
Miliona banorë të kryeqytetit të Britanisë, Londrës, po përballen me telashe të mëdha sa i përket lëvizjes me transport publik, ngase për shkak të grevës nuk po punojnë stacionet nëntokësore hekurudhore të metrosë, nëpër të cilat për çdo ditë udhëtojnë mbi 4 milionë njerëz.
Është kjo greva e dytë e hekurudhës brenda muajit, ngase sindikatat po protestojnë kundër planeve që metrotë të punojnë 24 orë gjatë fundjavave.
Greva është paraparë të zgjasë deri nesër në mëngjes, gjë që po i shkakton probleme miliona banorëve të Londrës dhe numrit të madh të turistëve.
Udhëtarët në vend të trenave nëntokësorë po përdorin automjete dhe biçikleta, ndërsa qyteti ka futur në shërbim 250 autobusë shtesë.
Një grevë e ngjashme paralizoi sistemin nëntokësor hekurudhor të Londrës në fillim të korrikut, për herë të parë pas 13 viteve.
Sindikatat janë në konflikt me kompaninë London Ondergraund, e cila planifikon që duke filluar nga 12 shtatori të ofrojë udhëtime gjatë gjithë natës në netët mes të premtes dhe të shtunës dhe të shtunës dhe të dielës.
Negociatat mes dy palëve u ndërprenë të hënën, ngase sindikatat kërkuan që ndryshimi të mos fillojë të zbatohet, përderisa të mos arrihet marrëveshja për pagat dhe kushtet e punës të punëtorëve të hekurudhës nëntokësore./21 Media