Hajdutë shqiptarë grabisin një bankë në Durrës

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Filiali i një banke të nivelit të dytë me kapital shqiptar u grabit ditën e mërkurë në qendër të qytetit bregdetar të Durrësit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13.30, kur dy persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur filialin e një banke të nivelit të dytë ku kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash në euro, lekë dhe dollarë, që kapin vlerën e afro 4 milionë lekëve. Në vendin e ngjarjes, jashtë bankës, dëshmitarë okularë që janë ndjerë të shokuar nga ngjarja dhe zhvillimet e shpejta të saj thanë se njëri prej grabitësve kishte një maskë me tipare njeriu në fytyrë, ndërsa tjetri një skafandër motori.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve dhe punonjësit të sigurisë së bankës në çastin e daljes së dy personave nga banka që ndodhet në hyrje të Rrugës Tregtare, pranë Bashkisë, çoi në arrestimin e njërit prej autorëve. Alban Duka, 31 vjeç me banim në Tiranë është arrestuar ndërsa është identifikuar dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër. Në bankë grabitësit kanë mundur të marrin 8.765 dollarë, 7.015 euro dhe 1 774 132 lekë. Menjëherë në të gjitha hyrje-daljet e qytetit u ngritën postblloqe dhe nga veprimet e kryera u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale një armë zjarri tip automatik kallashnikov, një pistoletë, 29 fishekë, një motoçikletë me të cilën u larguan nga vendngjarja, një makinë tip Jaguar me targë të maskuar, një maskë-paruke me tiparet e një të moshuari, dy bluza, si dhe çanta që shërbente për vendosjen e parave së bashku me shumën e parave të grabitura brenda saj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit” dhe “Armëmbajtje pa leje” në bashkëpunim.
Grupi hetimor ndërkohë ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e filialit të bankës që ndodheshin në punë në çastin e grabitjes, si dhe punonjësin e sigurisë dhe atë të policisë private. Pas grabitjes, shërbime të shumta policie u angazhuan për të zbardhur që ndodhi në mes të ditës dhe në qendër të Durrësit. Autorët janë larguar drejt zonës mes Plazhit e Shkozetit. Në këtë zonë, sipas banorëve, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, fakt ky që nuk raportohet nga policia. Banorë të zonës kufitare mes plazhit dhe Shkozetit në Durrës, mbi shinat e trenit, thanë për gazetën se zona u bë e pasigurt për shkak të ndjekjes së autorëve nga policia dhe shkëmbimit të zjarrit mes palëve. Madje, punonjës të policisë u kanë bërë thirrje të mos dalin nga shtëpitë për të shmangur çdo incident të mundshëm gjatë arratisë së njërit prej autorëve. Grabitja ka qenë e organizuar mirë, po nuk ka rezultuar e suksesshme për autorët e saj, njëri prej të cilëve u kap bashkë me paratë e vjedhura, ndërsa tjetri, emri i të cilit nuk është bërë publik nga policia, ndodhet në kërkim.