Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë sot në hapjen e punimeve të Kuvendit VII Zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës (ARK). Ai e i ka përshëndetur punimet e këtij kuvendi.
“Kosova po kalon momente të rëndësishme dhe ju rinia mund t’i vini në shprehje aftësitë tuaja për zhvillimet dhe ndryshimet që mund të vijnë shpejt. AAK ka plane shumë përmbajtësore për ndryshim dhe zhvillim. Kemi plane të studiuara për arsimin, për shërimin e shëndetesisë e të gjitha lëmitë tjera, por jemi fokusuar në shtet ligjor dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë kryetari Haradinaj.
Kreu i Aleancës ka thënë se me shtetin ligjor nuk do të ketë korrupsion, krim, e gjëra të tjera të këqija. “Ne si shtet duhet të fillojmë të merremi vetë me temat tona, cilatdo qofshin ato. Ne jemi kundër eksperimenteve me Kosovën. Të gjithë duhet të na trajtojnë dhe të na besojnë se jemi të gatshëm me i marrë vetë përgjegjësitë”.
Kryetari Haradinaj ka thënë se shqiptarët si popull shtatëmilionësh kanë resurse dhe kanë gjithandej potencial për të qenë populli faktor në rajon: “Ne, si popull, jemi shtatë milionë shqiptarë, e mosha e re e popullsise na jep shpresë për rol dhe të drejtat tona në Ballkan”.
