Hillary Clinton kryeson zgjedhjet për president në SHBA

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në kohën kur shumica e kandidatëve të supozuar se do të garojnë për Presidencialet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, tashmë edhe e kanë formalizuar kandidaturën e tyre, një sondazh i gjigandit CNN sheh një ngritje të fuqishme të dy prej kandidatëve më të fundit mes republikanëve, ndërsa Hillary Clinton mbetet në krye të demokratëve.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, dhe biznesmeni Donald Trump kryesojnë listën e gjatë të kandidatëve republikanë për President të SHBA-ve, pas shpalljes thuajse njëri pas tjetrit të kandidaturave të tyre në mesin e muajit qershor.
Ata janë gjithashtu të vetmit kandidatë, të cilët kanë siguruar deri më tani një mbështetje dyshifrore mes republikanëve dhe elektoratit gri me prirje nga republikanët.
Ndërkohë, në krahun tjetër të politikës, ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, vazhdon të kryesojë jo vetëm mes demokratëve, por edhe mbi të gjithë kandidatët republikanë në përgatitjet kokë më kokë për zgjedhjet e përgjithshme.