Hiroshimë: Përkujtohet tmerri i sulmit bërthamor

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 100 vende të botës, në qytetin japonez, Hiroshimë, sot u shënua 70 vjetori i sulmit të parë bërthamor në botë. Në Qendrën Përkujtimore në Hiroshimë me një minutë heshtje u nderuan viktimat e sulmit, numri i të cilëve besohet se arrin në 140 mijë.
Në Japoni sot u shënua 70 vjetori i sulmit të parë bërthamor në historinë e njerëzimit, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën bombën bërthamore në qytetin e Hiroshimës.
Në ceremoninë e sotme morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, përfaqësuesit nga 100 shtete, e në mesin e tyre edhe ambasadorja amerikane në Tokio, Kerolin Kenedi.
Me një minutë heshtje në orën 08:15 sipas kohës lokale në qendrën përkujtimore në Hiroshimë u nderuan viktimat, numri i të cilëve vlerësohet se arrin në 140 mijë.
Pikërisht në këtë kohë, më 6 gusht të vitit 1945, aeroplani amerikan Enola Gej hodhi bombën bërthamore, të pagëzuar Litëll Boj në Hiroshimë, qytet ky në perëndim të Japonisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kërkuar falje për këtë sulm, e as për sulmin e dytë bërthamor në Nagasaki, më 9 gusht të vitit 1945, si pasojë e të cilit humbën jetën 74 mijë njerëz. Asnjë President amerikan nuk ka vizituar kurrë këto dy qytete.
Pas sulmeve bërthamore, Japonia kapitulloi më 14 gusht të vitit 1945, e që mundësoi përfundimin zyrtar të Luftës së Dytë Botërore dy javë më vonë, më 2 shtator të vitit 1945/21Media