Interesimi i nxënësve shqiptarë për paralelet maqedonase thuajse 'zero'!

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në Shkollën e Mesme të Qytetit të Shkupit ‘Cvetan Dimov’ gjatë afatit të parë të regjistrimit, për dallim nga viti i kaluar, asnjë nxënës shqiptar nuk ka konkurruar të regjistrohet në 2 paralelet me mësim në gjuhën maqedonase. Nga drejtoria thonë se këtë vit në ‘Cvetan Dimov’ do të funksionojnë 11 paralele me mësim në gjuhën shqipe, 2 në atë maqedonase dhe 1 paralele me mësim në gjuhën turke. Ndërkohë në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Arseni Jovkov’ në afatin e parë të regjistrimit në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, në drejtimin teknik-ekonomik kanë konkurruar 17 nxënës shqiptarë, prej të cilëve vetëm 3 janë pranuar.
Pas publikimit në ALSAT M të rastit me reduktimin e qëllimshëm të paraleleve shqipe në Shkollën Shtetërore për Kulturë fizike ‘Metodija Mitevski Brico’, MASH-i këtë vit ka shtuar edhe një paralele në gjuhën shqipe. Zv/drejtori thotë se vendet në 2 paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë plotësuar që në afatin e parë.
“Atë që e kërkuam ne hasi në mirëkuptim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ditën e premte në shkollën tonë ka arritur vendimi që të shtohet edhe një paralele me mësim në gjuhën shqipe. Kërkesa jonë është shumë kërkesë reale e cila kishte nevojë për një zgjidhje shumë të shpejt dhe ne në paraqitjen e parë që u mbajt dy ditët e kaluara dy paralele mbushëm me nxënës, kishte interesim shumë të madh nga gjitha qytetet e Maqedonisë dhe këtu shihet se ne kemi nxënës, ka interesim dhe mbushëm dy paralele me mësim në gjuhën shqipe”, deklaroi Besim Ramadani, zv. drejtor i Shkollës Shtetërore për Kulturë Fizike “Metodija Mitevski Brico”
Këtë vit nëpër shkollat e mesme të vendit do të pranohen 35 mijë e 445 nxënës, prej të cilëve 23 mijë e 778 do të regjistrohen në drejtimet shkencore kurse 11 mijë e 53 në gjimnaze. Afati i dytë i regjistrimit është më 29 dhe 30 Qershor. Semimaturantët që nuk do të mund të regjistrohen në shkollë të mesme gjatë dy afateve të para, do të kenë mundësi të njëjtën ta bëjnë gjatë afatit të tretë me 24 korrik.