Solisti i njohur i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Ismet Bogujevci, u nderua sot me titullin “Doajen i Ansamblit”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky titull iu dha në mbështetje të Rregullores për Gradimin e Pagave të Krijuesve dhe Përforcuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore.
Me këtë rast, ministri i MKRS-së, Kujtim Shala e përgëzoi Bogujevcin për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në fushën e artit dhe të kulturës në Kosovë ndër vite.
Ai, po ashtu, theksoi se MKRS-ja do të vazhdojë të mbështesë artisët e Kosovës, duke krijuar lehtësira për veprimtarinë e tyre dhe njëherësh duke nxitur promovimin, afirmimin dhe mbrojtjen e vlerave të tyre kulturore dhe artistike.
Ndërsa, Doajeni Bogujevci e falënderoi ministrin Shala për pritjen, vlerësimet dhe nderimin duke thënë se kjo mirënjohje është një nxitje për të që edhe më tutje të vazhdojë të punojë për të kultivuar artin e muzikës.
