Jahjaga falënderon të gjithë ata që përkrahën instalacionin "Mendoj për ty"

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka falënderuarë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha personalitetet e vendit dhe ato ndërkombëtare që u solidarizuan dhe përkrahen realizimin e instalacionit artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna di Lellio, të organizuar nën patronazhin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, që udhëhiqet nga Presidentja e Kosovës.
Instalacioni “Mendoj për Ty” u shndërrua në dëshminë më të mirë të solidarizimit të gjithë shoqërisë me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ky demonstrim i përkushtimit tonë për t’iu dalë në krahë të mbijetuarve të këtij krimi lufte duhet të konkretizohet me veprimin tonë si institucione dhe shoqëri për rehabilitimin dhe riintegrimin e plotë të tyre. Ne duhet ta mbajmë premtimin se të mbijetuarit e dhunës seksuale kurrë nuk do të jenë vetëm.
Jehona e kësaj vepre artistike dhe përkrahja shoqërore që mori kjo kauzë ka tejkaluar kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për përmasat e këtij krimi lufte të kryer në Kosovë dhe nxori vendin tonë si shembull të shërimit të plagëve të luftës, të bashkuar për të adresuar një kauzë kaq të rëndësishme shoqërore dhe sfide globale.
Presidentja Jahjaga njëherit do që të falënderojë organizatat në Kosovë që kanë punuar për dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke ndihmuar mirëqenien dhe trajtimin e tyre dhe që kanë kontribuar vazhdimisht në vetëdijesimin tonë për këtë çështje dhe shumë prej anëtarëve dhe përkrahësve të tyre dhe të kësaj kauze që në cilësinë e vullnetarëve ndihmuan në realizimin e kësaj vepre artistike.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës po ashtu falënderon për përkrahjen e tyre financiare UNWomen, Ambasadën e Britanisë së Madhe, Ambasadën e Zvicrës, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rrjetin e Grave të Kosovës, Qendrën për Rehabilitim e Viktimave të Torturës dhe Bleron Baraliun./21Media