Kadetët e FSK-së përfunduan operacionet e ushtrimit në Krivollak të Maqedonisë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan sot me sukses operacionet përfundimtare në kuadër të ushtrimit 12 ditor ,,Kampi Veror 2015’’ në poligonin stërvitor ushtarak në Krivollak të Maqedonisë.
Sot, në ditën mediale dhe të fundit të ushtrimit fushor, kadetët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse përbënin një batalion shumëkombësh, që ishte i ngarkuar me detyra të operimit dhe ndërmjetësimit në mes të dy lokaliteteve që ishin në konflikt mes tyre. Ushtarët dhe eprorët treguan një nivel të lartë të angazhimit, veprimit dhe koordinimit në mes tyre, duke vepruar si njësi unike në realizimin e detyrave të përcaktuara nga skenari i ushtrimit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së FSK-së me këtë rast.
Për të përcjellë ditën kryesore të ushtrimit fushor, përveç eprorëve të lartë ushtarak nga shteti mikpritës, kishin ardhur edhe shumë oficerë të lartë nga ushtritë e shteteve tjera, që kishin pjesëmarrës kadetët e tyre në ushtrim. Nga MFSK-ja dhe FSK-ja, ishin të pranishëm gjeneral brigade Zymer Halimi Drejtor i Drejtorisë për Operacione, Kolonel Fadil Hadergjonaj Shef i Shtabit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), Ibrahim Shala Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, kapiten Avni Kiçina komandant i Qendrës për Studime Universitare të FSK-së (QSU) dhe këshilltari i Ekipit këshillues të NATO-s në MFSK kolonel Goran Assarsson.
Ushtrimi fushor ,,Kampi Veror 2015” organizohet nga Akademia Ushtarake e Maqedonisë. Ai ka karakter ndërkombëtar, ku për çdo vit marrin pjesë kadetët nga vende të ndryshme, të menaxhuar nga instruktorë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe (PpP).
“Kampi Veror 2015” ka karakter garues, ndërsa FSK-në e përfaqësojnë 10 kadetë dhe një oficer nga Qendra për Studime Universitare.
E veçanta e këtij viti është, se në këtë stërvitje kadetëve të FSK-së nga QSU, u janë bashkangjitur edhe kadetët e FSK-së të komuniteteve pakicë që për lehtësira gjuhësore studiojnë në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë, duke bërë një bash kim dhe harmonizim shumë të mirë me kolegët e QSU-së dhe të shteteve tjera gjatë ushtrimit fushor, thuhet në njoftimin e MFSK-së.