Kaos në Stamboll, vritet një polic

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Policia ka përdorur gazin lotsjellës, topat e ujit dhe plumbat e gomës për të shpërndarë pjesëmarrësit e një tubimi, i cili filloi pas varrimit të një aktiviste të majtë në Stamboll.
Gjatë përleshjes ka humbur jetën një polic, kanë raportuar mediet turke.
Polici është qëlluar me një plumb në gjoks, përderisa gjendej në një ndërtesë, në të cilën kishte tentuar të arrestonte disa protestues të dhunshëm.
Përleshjet në Stamboll shpërthyen për të tretën ditë me radhë, kësaj radhe pas varrimit të një aktiviste të majtë, e cila u vra nga policia.
Disa qindra persona sulmuan policinë me gurë dhe koktej Molotovi.
Një pjesë e protestuesve ngritën barrikada në mes të rrugës dhe policët nuk ishin më në gjendje të patrullonin në këmbë dhe u detyruan të përdorin automjetet e blinduara.
Pjesa e Stambollit, ku ndodhën përleshjet, gjendet në veri të qendrës së qytetit dhe situata në këtë pjesë të Stambollit është e tendosur që nga e premtja, kur gjatë një aksioni policor u vra aktivistja e majtë, Gunaj Ozarslan.
Ndërkohë, mediet lokale kanë raportuar se policia në Stamboll ka arrestuar 6 militantë të armatosur kurdë, të cilët po përgatiteshin për të sulmuar një stacion policor. Policia turke që nga e premtja ka filluar një aksion gjithëpërfshirës, në kërkim të kryengritësve kurdë dhe pjesëtarëve të dyshuar të Shtetit Islamik. Raportohet se që nga fillimi i aksionit janë arrestuar së paku 600 persona./21Media