Gjendja e sigurisë në komunikacionin rrugor në vend është shqetësuese dhe është përkeqësuar dukshëm gjatë muajve të verës duke rezultuar kështu edhe me humbjen e jetërave të njerëzve.
Kështu u tha në Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë. Drejtori i Drejtorisë së Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Sheremet Ahmeti tha se nuk mund të jemi të kënaqur me sigurinë në komunikacionin rrugor, ndonëse në periudhën janar-gusht ka pasur më pak të vdekur se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, sipas tij, të gjitha statistikat tjera ku përfshihen lëndimet, dëmet materiale flasin për ngritjen e numrit gjatë këtij viti.
Ahmeti tha se shtatori është muaji më i rënd i këtij viti, pasi që vetëm brenda këtyre ditëve kanë qenë 14 persona të vdekur, derisa vitin e kaluar, gjatë gjithë shtatorit ishin 10 persona të vdekur.
Ndërsa, Muhamet Krasniqi nga Kolegji “Tempulli”, paraqiti vërejtjet e tij lidhur me projektligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, pasi që nuk kanë qenë të përfshirë ekspert të kësaj fushe nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, si sponzorizues së këtij projekt ligji. Sipas Krasniqit, problem tjetër serioz mbetet mos respektimi i ligjit aktual për Siguri në Komunkiacion.
Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk patën një përgjigje të prerë për këtë çështje. Arbër Zhitia nga Ministria e Infrastrukturës deklaroi vetëm se tashmë ka filluar të punohet për konsolidimin e grupit lidhur me Ligjin për Siguri në Komunikacion, por nuk përmendi ndonjë ekspert tjetër veçse ata nga ana e MI-së. Sipas Zhitisë, lajm i mirë është që strategjia për sigurinë në rrugë, tanimë ka kaluar në Qeveri.
Ndryshe, nga ky takim u kërkua që të ngritja e çmimi i gjobave për kundërvajtje pasi që me çmimet aktuale nuk mund të pritet disiplinim i ngasësve të automjeteve në komunikacionin rrugorë, me çka edhe sipas Policisë së Kosovës parandalohen aksidentet me fatalitet
