Bashkimi Evropian nuk planifikon ngritjen e nivelit të ndërmjetësimit për krizën në Maqedoni. Me gjithë dështimin e rrethit të fundit të bisedimeve mes udhëheqësve të katër partive më të mëdha në Shkup, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së ndonjë lehtësuesi të posaçëm për krizën në Maqedoni. Ajo shprehu gatishmërinë e Komisionit për të ndihmuar procesin, por nga ana tjetër theksoi se komisionari për fqinjësi, Johanes Han nuk planifikon ndonjë takim me liderët në këtë fazë.
“Ne mirëpresim vijim e bisedimeve mes liderëve të partive politike përfshi zbatimin e rekomandimeve që Komisioni parashtroi dhe që janë pjesë e marrëveshjes së 2 qershorit. Ne presim rezultate konkrete nga këto bisedime.
E dini që Komisioni ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, gjë që vlen akoma. Në këtë fazë nuk është konfirmuar ndonjë takim me komisionarin Han”, deklaroi Maja Kocijaniçiq, zëdhënëse e KE-së./21Media
