Komisioni për Integrime Evropiane ka kthyer në Komisionin për Punë të Brendshme Projektligjin për letërnjoftimet për shkak se kanë kundërshtuar një amendament, i cili përcakton përkatësinë etnike në letërnjoftim.
Me vetëm një abstenim të anëtares së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë Komision, Projektligji u kthye në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri që të hiqet ky amendament dhe pastaj të vijë përsëri në Komisionin për Integrime Evropiane.
Deputeti i Vetëvendosjes në Komisionin për Integrime Evropiane, Ilir Deda tha se në asnjë mënyrë nuk duhet të pranohet ky amendament, pasi është jashtë praktikave evropiane. Ai e ka quajtur mënyrë primitive dhe të prapambetur një gjë të tillë.
“Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri e ka pranuar dhe ka përkrahur amendamentin që përcaktohet identiteti kombëtar në letërnjoftim.
Kundër këtij amendamenti ka dalë edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Luljeta Veselaj-Gutaj
Deputeti nga grupi 6+, Kujtim Baqaku, tha se në asnjë mënyrë nuk duhet të shkruhet me fjalë në letërnjoftim identiteti etnik.
Propozimet e deputetëve i mbështeti edhe kryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija, e cila tha se mund ta përkrahin këtë projektligj, por të kërkojnë që amendamenti të tërhiqet. Mirëpo, deputeti Deda propozoi që projektligji t’i kthehet Komisionit funksional, atij për Punë të Brendshme dhe Siguri, e jo të dërgohet në seancë me rekomandimin për ta hequr këtë amendament, pasi që do të bëhet temë diskutimi i panevojshëm.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Integrime Evropiane ka proceduar për në Kuvend edhe disa projektligje, siç janë ai për armët, Projektligji për furnizim me armë dhe pajisje tjera, Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale dhe Projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pasi ka vlerësuar se janë në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
