Kompania gjermane me një projekt të madh energjetik në Kosovë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ndërmarrja ndërtimore «Bilfinger» nga Gjermania po konkurron për të realizuar një projekt të madh energjetik në Kosovë, njofton «Wall Street Journal». Lajmi u bë i ditur papritur të martën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Merkel deklaroi se Gjermania synon të jetë përkrahëse e prodhimit të energjisë në Kosovë. «Këtu është fjala për oferta tashmë ekzistuese të Bilfingerit, që eventualisht të modernizohet një termocentral dhe kështu të përgatitet stabiliteti më i madh në furnizimin me energji», tha kancerlarja gjermane.
Një zëdhënës i firmës «Bilfinger» ka konfirmuar për «Wall Street Journal» se ekziston një ofertë e tillë, por nuk ka pranuar të jap detaje. Brenda Bashkimit Europian Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kosovës. Në vitin 2014 eksportet nga Gjermania në Kosovë, sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, kanë arritur në 152,9 milionë euro; një vit më parë, më 2013, Gjermania eksportoi në Kosovë për 135,5 milionë euro.
«Bilfinger» është një kompani e madhe ndërtimore gjermane me 69 mijë punëtorë dhe ka realizuar projekte në disa vende. Gazetat gjermane kanë njoftuar së fundi se «Bilfinger» dyshohet të jetë i përzier në një skandal korrupsioni në Brazil. Kjo kompani thuhet se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.
Interesimin e gjermanëve për të investuar në Kosovë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, sot përmes një njoftimi për media.