Komuna e Gjakovës denoncon MTI-në për shkelje të ligjit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

​Në adresë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë po drejton ankesa edhe Komuna e Gjakovës. Madje, sipas kësaj të fundit, kjo ministri po e shkel ligjin. Problemet mes pushtetit lokal dhe MTI-së po vijnë pasi MTI ka shfuqizuar vendimin e komunës së Gjakovës, me të cilin kjo e fundit i kishte ndaluar përkohësisht të ushtrojë veprimtarinë lokalit “Loni’s Pub”, që sipas inspektoratit komunal nuk i plotësonte kushtet minimale teknike, higjiene e sanitare për një veprimtari të tillë. Pas ankesës së palës në MTI, kjo e fundit shfuqizoj vendimin e komunës së Gjakovës pa i shqyrtuar faktet e komunës duke i lejuar lokalit që gjenden në ish-tregun e bylmetit, të vazhdojë punën.
Sipas Komunës së Gjakovës, MTI është thirrur në një aktvendim që posedon pala mbi plotësimin e kushteve, e që sipas tyre ai nuk qëndron, pasi që ky biznes është regjistruar në vitin 2010 derisa aktvendimi është lëshuar një vit më parë, që do të thotë ende pa u regjistruar biznesi.
Ligjërisht, kushtet minimale teknike i plotëson vetëm lokali me emërtim “Loni’s, dhe jo ai me shtesën “Loni’s Pub”, pasi që Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë nuk i ka lejuar regjistrimin biznesit me shtesën “Pub”, por vetëm i ka lëshuar çertifikatën e regjistrimit të biznesit me emërtimin “Loni’s”.
Në inspektoratin e komunës së Gjakovës thonë se lokali “Loni’s” fillimisht as nuk kishe kërkuar leje ndërtimi, e as tutje për rinovim(zgjerim)të objektit. Sipas tyre, pasi është kërkuar nga ai që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm, pala ka aplikuar po prap nu k i ka kompletuar të gjitha dokumentet të cilat kërkohen me ligjin mbi ndërtim, dhe nuk ka pas leje të punës.
Inspektorati thotë i ka dhënë edhe një afat të dytë palës, por prap nuk i ka plotësuar dokumentet, kështu në maj të këtij viti lokalit “Loni’s” që gjendet në rrugën “Mazllom Lakuci” në Gjakovë i ndalohet përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë.
Por, pronari ka shkuar tutje duke u ankuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, si organ më i lartë, dhe me 2 korrik të këtij viti,inspektorati i MTI-së, i përcjellë një vendim Komunës së Gjakovës në të cilin thuhet se i është bërë padrejtësi palës, dhe se kjo e fundit posedon me aktvendim. Kështu, shfuqizon vendimin e pushtetit lokal dhe i jep të drejtën lokalit që të vazhdojë punën.
Drejtori i inspektoratit në Komunën e Gjakovës, Mentor Sylmeta, konsideron që vendimi iu është anuluar pa bazë ligjore.
“Këtu inspektorati qendror me dashje, a pa dashje e ka shkel ligjin dhe ka bërë shkelje ligjore. Kështu me përgjegjësi të plotë morale e profesionale e them dhe e dëshmoj me fakte”, thotë ai.
Ai thotë se palës i është lëshuar aktvendimi një vit përpara se të regjistrojë biznesin.
“Në vendimin e ministrisë për shfuqizim të vendimit të inspektoratit, ceket që pala e ka një aktvendim, që prap kjo nuk qëndron. Sepse, Loni-s i cili e ka ushtruar ankesën me pronar Fisnik Bakija, është i regjistruar si biznes me datën 12.01.2010, kurse një aktvendim i vjetër ekziston në drejtorinë për punë inspektuese por nuk është për subjektin ekonomik Loni-s, është i lëshuar me 17.12.2009, që nuk është i këtij s ubjekti ekonomik. Sepse aktvendimi lëshohet në bazë të numrit të biznesit dhe emrit, do të thotë aktvendimi lëshohet pasi të regjistrohet biznesi e jo e kundërta”, thotë ai.
E në Ministrinë e Tregtisë përveç që nuk pranojnë të kenë bërë ndonjë shkelje, ata thonë se vet inspektorati i komunës së Gjakovës ka bërë shkelje ligjore duke ia mbyllë lokalin me arsyetimin se nuk posedon leje, derisa që në vitin 2011 në Kosovë është hequr termi “leje e punës”.
“Pasi që u trajtua lënda shumë hollësisht, ne kemi marrë vendim që ka bërë shkelja inspektorati i tregut gjegjësisht drejtoria e inspektoratit të Gjakovës, ku thotë se në vendim që e kanë lëshuar për mbyllje të lokalit aty thotë se kanë kërkuar leje, dhe në bazë të atij vendimi ja kanë mbyllë lokalin. Ne si ministri , si qeveri, në vitin 2011, është hequr termi ‘leje e punës’, do të thotë nuk ekziston leje. Dhe në bazë të asaj ne kemi marrë vendim që t’i lejohet të punohet”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Inspektorati i Komunës së Gjakovës, hedhë poshtë deklaratën e MTI-së duke theksuar që MTI është duke u thirrë në vendimet e mëparshme ndërsa nuk është përgjigjur për vendimin i cili ka të bëjë me plotësimin e kushteve higjeno-sanitare të objektit. Po ashtu, Komuna e Gjakovës prezenton dëshmi me të cilat demantohet citimi i z.Syla që anashkalon vendimin e fundit dhe flet për vendimet e mëparshme. Për më shumë, të bashkëngjitur mund të gjeni dëshmitë e Komunës së Gjakovës të cilat vërtetojnë që lokali nuk i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë për leje punë por për mungesë të plotësimit të kushteve higjeno-teknike dhe sanitare.
Drejtori Sylmeta thekson se vendimi iu është shfuqizuar pa bazë l igjore dhe Komuna do të vazhdoj me procedurat ligjore, duke ankimuar vendimin në gjykatën kompetente. Sipas tyre, kjo që është bërë nga MTI është kundër-ligjore.
Mos-pajtimet mes pushtetit lokal dhe biznesit “Loni’s” nisin me pronën të cilën e shfrytëzon ky biznes. “Loni’s” gjendet në hapësirën e ish-tregut të bylmetit, pjesë të cilën qeverisja e tanishme e Gjakovës synon ta kthejë ashtu siç ishte dikur- treg të bylmetit.
Pasi që kjo pronë është e kompanisë “Çabrati”, kompani kjo që është nën menaxhim të komunës, në vitin 2009 “Çabrati” i kishte lëshuar me qera pronarit të lokalit “Loni’s” atë pjesë që të ushtrojë veprimtarinë. Në kontratën e tyre thuhet se “qiradhënësi mbanë të drejtën e ndërprerjes së kontratës në çdo kohë kur t’i nevojitet lokali”. Që nënkupton se Komuna e Gjakovës mund të kthejë atë pronë në kohën kur i duhet për projekte në zhvillim të komunës.
E tani kjo çështje i është drejtuar gjykatës, pasi që pronari refuzon ta lëshojë lokalin me arsyetimin se ka investuar shumë në të. Derisa komuna e Gjakovës nuk heq dorë nga projekti që atë pjesë ta kthejë në treg të bylmetit.