Studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët banojnë në Qendrën Studentore, në konvikte ballafaqohen me probleme të ndryshme duke filluar që nga akomodimi e deri tek bibliotekat për lexim.
Përveç këtyre këta 3600 studentë të cilët akomodohen në konvikte, ballafaqohen edhe me një problem i cili po i mundon shumë, e bëhet fjalë për hapjen apo riaktivizimin e një Qendre Mjekësore e cila ka ekzistuar deri në vitin 2006. Ajo është mbyllur me arsyen që nuk ka staf të mjaftueshëm mjekësor.
Studentët përmes KosovaPress-it kërkojnë nga organet kompetente që të hapet një Qendër Mjekësore sepse është shumë e nevojshme për shkak të rasteve të shpeshta që ndodhin kur ata kanë nevojë për tretman mjekësor dhe kur lajmërohet ambulanca, ka raste kur ata vonohen.
Një premtim të tillë, për hapjen e një Qendre Mjekësore e ka dhënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti para një grupi të studentëve, gjatë fushatës zgjedhore por ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta thotë për KosovaPress se Qendra Mjekësore ka ekzistuar deri në vitin 2006, por që ajo është mbyllur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Por edhe pse është e mbyllur Sfishta, thotë se ajo është e gatshme në aspektin infrastrukturor që të fillojë punën.
“Qendra e Mjekësisë Familjare ka ekzistuar qysh moti në Qendrën Studentore është prapa këtij objekti në të cili n ndodhemi, është e gatshme të pranojë staf mjekësor dhe është e gatshme nga ana infrastrukturore nga ne mirëpo në vitin 2006 Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka mbyllë, kjo është nën kompetencë të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi. Ne si menagjment i Qendrës së Studentëve disa herë them 5 herë në 2 qeveritë, edhe në qeverinë e mëhershme komunale edhe në këtë momentale kemi bërë kërkesa me shkrim, kemi pas edhe takime me personat përgjegjës për shëndetësi në komunë por ne nuk kemi marr ende përgjigje pozitive nga ata”, ka thënë Sfishta.
Stafi si duket do të jetë problem edhe këtë herë për të zgjidhur këtë çështje. Një problem të tillë e përsërit sërish edhe Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia.
Ai, tha se nuk ka afat kohor se kur do të hapet ajo qendër. Vitia, thotë se aty duhet të involvohen edhe institucionet tjera për të mundësuar rritjen e stafit për të pasur mundësi që komuna e Prishtinës të ketë staf të mjaftueshëm për të ofruar shërbime shëndetësore në këtë qendër.
Por, krejt kjo nuk dihet se kur do të filloj pasi që projekti për hapjen e kësaj qendre mjekësore ende nuk ka filluar dhe se po kërkohet bashkëpunim më i gjerë ndërinstitucional.
