Më 13 tetor do të ketë një takim mes ministrit të mjedisit të Kosovës Ferid Agani dhe ministres së Zhvillimit Urban të Shqipërisë Eglantina Gjermeni, për të biseduar më hollësisht për projektet që do të zhvillojnë veriun e Shqipërisë dhe zonën përreth kufirit me Kosovën, gjegjësisht me malësinë e Gjakovës.
Për këtë sot u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të komunës së Gjakovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban të Shqipërisë.
Me këta rast këshilltarja politike e ministrit Agani, Ilirjana Perteshoni tha se ky takim shërben për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e planifikimit hapësinor në të dy vendet.
Drejtori i zhvillimit të territorit në Ministrinë e Zhvillimit Urban të Shqipërisë Nertil Jole tha se janë duke punuar intensivisht për realizimin e projekteve të përbashkëta që do të mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe qasjen me të lehtë të banorëve të komunës së Gjakovës, Kukësit dhe Hasit.
Në këtë tryezë diskutimi u dhanë shumë mendime, por mbi të gjitha u kërkua që idetë të konkretizohen dhe të dilet me kosto konkrete të projekteve.
