Kosova, ligje të dobëta për qeverisjen korporative(VIDEO)

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Korniza ligjore e cila merret me qeverisje korporatave të kompanive private dhe përfshin bizneset familjare në Kosovë, është e dobët dhe e mangët.
Këto janë të gjeturat e dala nga një hulumtim i bërë nga Instituti RIINVEST, i cili paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të zhvillimit të qeverisjes korporatave tek bizneset familjare në Kosovë.
Ky studim i cili është i bazuar në një anketë të krijuar enkas për këtë projekt, u prezantua në një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Riinvest, me temën “Qeverisja korporative tek bizneset familjare në Kosovë”, temë kjo që sipas studimit është relativisht e re në Kosovë.
Pos, tjerash nga ky hulumtim ka dal se shumica e ndërmarrjeve private në Kosovë janë të reja, që për këtë arsye ato kanë ende nevojë të madhe për ngritje të kapaciteteve të tyre profesionale.
Këtë e tha edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili shtoi se OEK së bashku me institutet e kanë për obligim të punojnë më shumë në këtë drejtim.
Kjo analizë ka qenë e rëndësishme të bëhet për shkak se bizneset familjare janë shtylla kryesore e shumë ekonomive në botë. Këtë e potencoi edhe eksperti i ekonomisë nga Instituti Riinvest, Alban Hashani, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja e fokusit të tyre në këtë temë.
Kurse, Agon Nexha, po ashtu hulumtues i këtij projekti, tha se, të gjeturat tregojnë një shqetësim serioz, ku vetëm një në shtatë kompani vënë në dispozicion pasqyrat financiare.
Ajo që është pozitive, sipas këtij raporti, bizneset e mëdha familjare po bëhen më të vetëdijshme gjithnjë e më shumë për rëndësinë e qeverisjes korporatave, duke kërkuar kështu udhëzime në adaptimin e praktikave të duhura të qeverisjes.