Ministri i Jashtëm grek Nikolas Kotzias ka thënë sot në Tiranë se nuk ekziston ligji i luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, dhe se për ta sqaruar përfundimisht këtë çështje do gjendet një mënyrë apo një marrëveshje për ta konfirmuar përfundimisht.
I pyetur edhe për çështjen çame, ministri grek tha se çdo shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke dhe të kërkojë të drejtën e pronësisë, por ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria dhe Greqia sot kanë ura të fuqishme miqësie, dhe nuk duhet të përsërisin gabimet e së kaluarës, por të mësojnë prej tyre.
“Ne besojmë se nuk ekziston një ligj lufte me Greqinë. E mirëkuptojmë faktin se kjo mënyrë leximi jonë nuk përputhet me mënyrën se si e kanë lexuar shqiptarët por nuk jemi në gjendje lufte; dhe ne do ta konfirmojmë këtë gjë. Shqipëria dhe Greqia kanë ura të fuqishme miqësie, të cilët janë emigrantët shqiptarë dhe ai minoritet grek që jeton këtu. Bashkë me kët o edhe diplomacia jonë krijon ura të reja. Pjesëmarrja në NATO na bën aleatw, ndaj dhe do gjejmë një mënyrë për të konfirmuar që nuk jemi në gjendje lufte, duhet ta konfirmojmë se nuk jemi në ligjin e luftës. Çdo qytetar shqiptar mund t’u drejtohet gjykatave greke dhe të kërkojë çdo pretendim që ka për çështje të pronësisë apo të tjera, por ne nuk duam që çështjet e pronësisë të minojnë miqësinë tonë. Ne si dy shtete duhet të mësojmë nga historia, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës. Ne si Greqi duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen që i përket dy popujve tanë dhe gjeneratave që do të vijnë,” tha ministri Kotzias ndërsa iu referua çështjes së ligjit të luftës dhe çështjes çame.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, është ndalur edhe tek çështja e kufirit detar me Greqinë, për të cilën ka thënë se, nëse nuk gjejnë konsensus dhe zgjidhje me s dy vendeve, atëherë çështja do të adresohet për t’u zgjidhur sipas normave dhe së drejtës ndërkombëtare.
“Çështja që njihet ndryshe në terminologjinë popullore si “Çështja e Detit”, është një ndër temat të cilën e kemi diskutuar së bashku me ministrin Kotzias, dhe me të drejtë pritshmëria e opinionit publik, si në Shqipëri dhe në Greqi, është se si do të kapërcehet? Duhet të jetë një zgjidhje e cila duhet të jetë e bazuar plotësisht në të drejtën ndërkombëtare. Është një zgjidhje e cila bëhet në frymë evropiane dhe jo si precedent përkundrejt rasteve që mund të konsiderohen të ngjashme ose jo, dhe është një zgjidhje të cilën ne të dy ministrat dëshiro jmë që të vijë në radhë të parë nga ekspertët dhe nga grupet e ekspertëve. Në rast se nga një punë e gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion, e drejta ndërkombëtare dhe fryma evropiane na orienton”, tha Bushati.
Ministri i Jashtëm shqiptar u ndal edhe tek situata ekonomike në Greqi, duke u shprehur se çështja ekonomike me të cilën përballet fqinji ynë, është një çështje që e shohim edhe ne me rëndësi për vetë pozicionim strategjik që ka Greqia, dhe për emigrantët shqiptarë që jetojnë atje.
