Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev e ka demantuar ministren e Dialogut, Edita Tahiri se i ashtuquajturi park i paqes do të largohet nga ura mbi Ibër më 1 tetor.
Përveç kësaj, Kozarev ka theksuar se këto pohime janë të papërgjegjshme dhe kontradiktore, transmeton Indeksonline.
Kozarev i ka thënë Tanjug-ut se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për dallim nga Tahiri e cila “me ditë të tëra ka paralajmëruar largimin e parkut të paqes nga ura në Mitrovicë dhe rivendosjen e komunikacionit rrugor nga vjeshta në atë urë”, ditëve të kaluara ka thënë se marrëveshja për parkun është afër.
“Gjatë takimit të fundit të kryeministrave në Bruksel, kemi vërejtur në mediat prishtinase edhe deklaratën e Hashim Thaçit dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtri se çështja e Parkut të paqes është arritur, edhe pse këtë me neve askush nuk ka folur”, ka thënë Kozarev.
Sipas tij, deklaratat e Edita Tahirit kanë filluar të jenë edhe argëtuese, duke shtuar se ajo katër herë e ka ndryshuar deklaratën se kur do të largohet parku, transmeton Indeksonline.
“Në mars të këtij viti ka thënë se do të largohet në maj, kurse gjatë vitit të kaluar tri herë ka paralajmëruar arritjen e marrëveshjes, me data konkrete se kur do të ndodh. Sigurisht se as tash nuk është bindëse për opinionin vendor”, ka thënë ai.
