Në ishullin Lesbos të Greqisë, qeveria greke dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët kanë dërguar staf shtesë, dhe anije strehimi për t’u ardhur në ndihmë rreth 25 mijë refugjatëve që ndodhen atje.
Sipas BBC-së, anijet po përdoren si qendra strehimi në mungesë të ambienteve të tjera. Ndërsa në një fushë të braktisur futbolli, është ngritur një qendër e përkohshme strehimi, për të ndihmuar emigrantët që të arrijnë në Athinë.
Gjatë ditës së hënë, një ministër grek ka deklaruar se ishulli i Lesbos “ishte në prag të shpërthimit”. Ndërsa autoritete të tjera helene thanë se streha e ngritur në fushën e futbollit do të qëndrojë e hapur për pesë ditë.
Ndërkohë gjatë natës njësi të rojës bregdetare dhe të policisë janë përleshur me turmën, për të vënë nën kontroll rreth 2.500 emigrantë që përpiqeshin të arrinin një nga anijet e dërguara nga OKB.
Sipas autoritetet lokale ishulli është i tejmbushur nga emigrantët, që vijnë kryesisht nga Siria e që aktualisht janë të detyruar të jetojnë në kushte të rënda.
