Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sajmir Tahiri, ku i ka shprehur mirënjohjen Qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama, për organizimin e Samitit rajonal të Ballkanit, kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, i cili u mbajt në datë 19 maj të këtij viti në Tiranë.
Njëkohësisht Kerry shkruan se pas këtij samiti, shumë qeveri të rajonit do të ndjekin shembullin e Shqipërisë.
“Samiti i Ballkanit, i pari në radhën e Samiteve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ishte me rëndësi kritike për ndërtimin e mbështetjes rajonale dhe do të bëjë të mundur që shumë qeveri të ndjekin shembullin e Shqipërisë për të shpallur nisma konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm, në takimin e liderëve që do të mbahet në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të këtij viti”, shkruan Sekretari i Shtetit.
Letra e plotë
I dashur zoti Ministër,
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Qeverinë e Shqipërisë dhe Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen dhe organizimin e Samitit Rajonal të Ballkanit, kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), mbajtur në datë 19 maj.
Samiti i Ballkanit, i pari në radhën e Samiteve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ishte me rëndësi kritike për ndërtimin e mbështetjes rajonale dhe do të bëjë të mundur që shumë qeveri të ndjekin shembullin e Shqipërisë për të shpallur nisma konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm, në takimin e liderëve që do të mbahet në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të këtij viti. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Qeverinë shqiptare për përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, në Samit.
Sikurse Presidenti Obama vuri në dukje në Samitin e Shtëpisë së Bardhë në muajin shkurt, shoqëria civile, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe pakicat fetare, kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Vetëm së bashku – duke bashkëpunuar ndërmjet qeverive tona, shoqërisë civile dhe sektorit priva t – mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët, për parandalimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm.
Edhe një herë, ju falënderoj shumë për udhëheqjen tuaj në mikpritjen e këtij Samiti kaq të rëndësishëm!
