Procesi i lustrimit në Maqedoni zbuloi 300 spiunë dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete në të kaluarën.
Ky proces është vlerësuar shumë kontrovers dhe me kritika nga ana e oponentëve të politikës në Maqedoni. Opozita ka kritikuar se procesi ka qenë jotransparent dhe se në shenjëstër kanë qenë të gjithë figurat dhe protagonistët publik që janë kritikë të pushtetit aktual. Komisioni i Lustrimit gjatë kohë funksionon me përbërje të përgjysmuar për shkak të bojktotit të disa anëtarëve të opozitës maqedonase.
Kryetari i Komisionit për verifikimin e fakteve, Tome Axhiev ka vlerësar pozivitisht punën e këtij komisioni që nisi detyrën në vitin 2007 dhe zyrtarisht rrumbullakësohet pas dy muajsh.
Komisioni vërtetoi përfshirjen e 300 personave si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, ndërsa gjatë këtyre viteve shqyrtoi dosjet e mbi 30 mijë personave, mes të cilëve funksionarë aktualë dhe të dikurshëm, profesorë, shkrimtarë, e të tjerë. Sipas kreut të lustratorëve, Axhiev, kjo ka qenë një prej arsyeve kryesore që puna e këtij Komisioni që në fillim ka qenë e sulmuar, pasi Komisioni ka prekur interesat e një grupi të madh njerëzish, të cilët përmes bashkëpunimit me organet e sigurimit të shtetit kanë përfituar favore dhe privilegje personale.
“Mund të them se procesi ideologjik që pritej prej kohësh nga opinioni për të korrigjuar një padrejtësi historike, të cilën disa njerëz e bënë për motive ideologjike, apo politike, në dëm të të drejtave të personave-viktima të atij regjimi dhe fateve të familjeve të tyre, tani ka përfunduar. Puna jonë do të rrumbullakësohet gjatë ditëve në vazhdim, maksimumi deri në dy muaj. Unë dhe anëtarët jemi të kënaqur nga ajo që kemi arritur, që në fakt është shumë”, ka deklaruar Axhiev, njofton “Koha”.
Disa prej lustrimeve më të bujshme ishin ato për ish-ministrat Ljubomir Fërçkovski, Tomisllav Çokrevski, ish-ambasadori Gjorgji Spasov, ish kreu i Kushtetueses Trendafil Ivanovski, regjisorii Vladimir Milçin, ish-drejtori i DSK-së, Sllobodan Bogoevski e të tjerë – që të gjithë të afërt me opozitën.
“Edhe krahas sulmeve dhe rezistencës së madhe ndaj lustrimit nga ato që dikur kanë përfaqësuar apo praktikuar një sistem vlerash që tashmë është zëvendësuar nga një tjetër, ato persona, me përjashtime të rralla, kanë mbetur dominues nëpër institucione dhe në sektorin civil, duke rekrutuar ushtarë të rinj. Kjo është arsyeja e kundërvënies së tyre ndaj lustrimit, në një formë agresive dhe këmbëngulëse. Por KVF ishte në rrugën e duhur”, ka thënë Axhiev. Korniza, sipas së cilës u krye procesi i lustrimit në Maqedoni ishin dy rezolutat e Kuvendit parlamentar të Këshillit të Evropës, si edhe rekomandimet e projektit “Zbulimi i historisë së fshehur – lustrimi në vendet e Ballkanit perëndimor”, i financuar nga BE dhe USAID.
