Ndihmës – sekretarja amerikane Viktoria Nuland bëri thirrje sot në Shkup që të tejkalohet kriza politike. Ajo pas takimeve me liderët politik theksoi se ka vullnet politik për dalje nga kriza.
“Ka vullnet politik për tejkalimin e krizës dhe se kanë mbetur të hapura edhe disa çështje”, deklaroi Nuland, pas takimit me kryeministrin Nikola Gruevski në një konferencë me gazetarët.
Ajo porositi sa më shpejt të zgjidhet kriza politike, ashtu që vendi sa më shpejt të kthehet në rrugën evroatlantike.
“Ne fuqimisht përkrahim ate që ishte dakorduar më 2 qershor dhe se kanë mbetur vetëm disa çështje për tu mbyllur. Eurokomisioneri Hahn nesër do të jetë në vendin tuaj dhe ne fuqishëm i përkrahim këto bisedime. Unë ditën e kalova duke biseduar me liderët kyç politik, mes tyre edhe kryeministrin, për të zvogluar dallimet me qëllim të arritjes së marrëveshjes në vend, me qëllim që të vazhdoni të ecni përpara dhe të punoni në çështjet e mediave, gjyqësorit dhe procesit zgjedhor, por edhe çështjeve të tjera që janë shqetësuese”, deklaroi Nuland, raporton INA.
Ajo tha se ka vullnet politik për të zgjidhur problemet dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt.
Derisa Nuland po hynte në Qeveri, përkrahë të opozitës në kampin e tyre kanë brohoritur për dorëheqje të Qeverisë dhe thirrje të tjera.
