Maqedoni: “Vera e Ohrit”, “Këngë Jeho” – me telashe materiale

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Se diskriminimi është evident në Maqedoni në baza etnike është e qartë edhe përkrahja institucionale.
Derisa për një festival që është me karakter ndërkombëtar siç është “Vera e Ohrit” në Ohër, ndahen nga buxheti i shtetit mbi 700 mijë euro, për festivalin tradicional shqiptar “Këngë Jeho” në Strugë që tubon shoqëri kulturore artistike dhe që promovon traditën dhe vlerat kombëtare shqiptare ndahen më pak se 7 mijë euro apo 400 mijë denarë.
Dallimet janë shumë të mëdha, por megjithatë me këtë shihet qartë se sa qeveria apo Ministria e Kulturës përkujdeset për kulturën shqiptare, për një festival që është gati i vetëm dhe që ka krijuar një traditë në qytetin e liqenit piktoresk.
Drejtori i Festivalit “Këngë Jeho”, Dilaver Lloga thekson se tradicionalisht ky festival po mbijeton në kushte shumë të vështira dhe mbijetese. Mbështetja e komunës me një buxhet të vogël dhe mbështetja simbolike e ministrisë së Kulturës mezi po e mbajnë gjallë festivalin që filloi që nga viti 1991.
Por, Lloga shprehë keqardhje se si Ministria e Kulturës nuk e mbështet si duhet këtë festival tradicional shqiptar dhe se për të ndahet një shumë simbolike, që nuk plotëson kërkesat dhe nevojat. Ai thekson se si sekretari shtetëror i Kulturës, Behixhudin Shehapi kishte premtuar rritjen e buxhetit për edicionin e sivjetëm, por që nuk e realizoi.
“Ministria e Kulturës ka ndarë në buxhet prej 400 mijë denarësh, ndërsa Shehabi premtoi se do të lëshojë edhe një buxhet shtesë, por nuk e mbajti premtimin”, deklaroi Lloga, duke shtuar se edhe ato para që jepen ndahen në dy këste dhe kjo vështirëson organizimin.
Drejtuesit e festivalit theksojnë se pa ndihmën e komunës së Strugës dhe kryetarit Ziadin Sela, festivali as që mendohej të mbahej. Pikërisht për shkak të situatës së rëndë, festivali është shumë simbolik dhe nuk ftohen shoqata kulturore artistike nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera, përfshirë edhe diasporën.