Publicisti Halil Matoshi ka reaguar ndaj etiketimeve e sharjeve që atij i ka bërë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha. Matoshi ka thënë se Berisha, e ka vendin në burgun e Dyzit, e jo në Kuvendin e Kosovës.
Në një prononcim për portalin Koha.net ka thënë se Berisha duhet të mbajë përgjegjësi për fjalën e thënë publikisht.
“Me Zafir Berishën si ‘opozitar i madh dhe liberal’ duhet të merren ata që e votojnë njeriun që s’di shkrim-lexim, sepse mendojnë se vetëm analfabetët i përfaqësojnë denjësisht interesat e tyre. Ai për fjalën e tij publike duhet të mbajë përgjegjësi si i zgjedhur i popullit. Ky postim i tij kërcenues dhe sharës duhet t’i shërbejë Prokurorit të Shtetit, jo neve, opinionitëve sepse ne i kemi punët tona. Z. Berisha e ka vendin në Burgun e Dyzit jo në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Matoshi në prononcimin e tij për Koha.net
Matoshi më tej ka shtruar pyetjen se edhe çka duhet të bëjë tjetër Zafir Berisha, si deputet i zgjedhur, siç ka thënë ai “i popullit!?” që të reagojë jo vetëm Kuvendi ku ky tip ka ulësen, po edhe partia e tij, (përkatësisht Fatmir Limaj) dhe para se gjithash Prokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ex officio…
“Ka kohë që ne, të apostrofuarit në mandaten e Z.B. Enver Robelli, Dukagjin Gorani dhe une, Halil Matoshi) po presim reagimin e shtetit të cilit i paguajmë taksa, ndaj këtyre kërcënuesëve të rrezikshëm për shoqërinë dhe sharësve… Prandaj duhet te veproje Prokuroria tash…”, ka thënë Matoshi.
Deputeti i Nismas për Kosovën, përmes një statusi në profilin të tij në Facebook ka fyer e etiketuar rëndë opinionistët Enver Robellin, Halil Matoshin e Dukagjin Goranin si dhe historianin Jusuf Buxhovi.
Enver Robelli dhe Jusuf Buxhovi nuk kanë dashur të prononcohen në lidhje me këtë deklaratë të deputetit Berisha.
