Më shumë se 60 % e fëmijëve kosovarë keqtrajtohen fizikisht nga prindërit e tyre, si formë për disiplinim. Kështu thuhet në anketën e fundit të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (2013-2014) publikuar së fudmi, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
Sipas kësaj ankete, 61.4 % e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, deklaruan se kishin pësuar dhunë psikologjike dhe fizike nga familjarët gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit.
Nga ky grup, 24 %, ose afërsisht 1 në çdo 4 fëmijë, pohuan se ishin ndëshkuar fizikisht, me 6 për qind të rasteve që thanë se kishin pësuar ndëshkim të rëndë fizik, raporton Kallxo.com. Ndërsa 31 për qind e fëmijëve thanë se nuk kishin përjetuar dhunë të asnjë lloji, qoftë fizike apo psikologjike.
Ndërsa, përgjigjet e fëmijëve nga etnitë e tjera (romë, shkali dhe egjiptianë), të cilat janë trajtuar në një pyetësor më vete, raportuan për dhunë fizike në masën 40 %, pra për 4 fëmijë në çdo 10 syresh.
Sipas të njëjtit vrojtim të UNICEF, kultura e disiplinimit të fëmijëve përmes dhunës është e përhapur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit. Në Malin e Zi, 69 për qind e fëmijëve të intervistuar (viti 2013) deklaruan se kishin qenë viktima të dhunës psikologjike apo fizike. Nga ky numër, 30.8 për qind, pra gati 1 në 3 fëmijë, deklaruan se mbi ta ishte ushtruar dhunë fizike./RTV21
