​Merkel: Gjermania e do anëtarësimin e Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit në BE

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Shqipëria ka pritur sot kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Ajo mbërriti në Rinas në orën 13;50, ku u prit nga zëvendës kryeministri Niko Peleshi dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë shqiptare.
E veshur thjesht me një xhaketë ngjyrë portokalli dhe pantallona të bardha, Merkel mbërriti në Kryeministri fiks në orarin e parashikuar më herët në agjendë. Në orën 14:15 minuta ajo shtrëngoi duart me kryeministrin Edi Rama i cili e priti me një ceremoni zyrtare ku në sfond u dëgjua himni i të dy vendeve.
Kancelarja Merkel e karakterizuar nga thjeshtësia e saj nuk ngurroi të ndalej për pak sekonda në shkallët e Kryeministrisë dhe të përshëndeste me dorë dhjetëra njerëz, qytetarë të thjeshtë që ishin mbledhur në Bulevard për të pritur gruan më të fuqishme në botë.
Takimi mes dy liderëve dhe delegacioneve të tyre ka nisur rreth orës 14;30, dhe ka zgjatur pak më shumë se një orë, ku në 15:40 minuta është mbajtur edhe konfe renca e përbashkët për shtyp e kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama.
Ashtu siç u shprehën edhe dy kryeministrat në fjalën e tyre temat e diskutuara së bashku ishin të shumta si integrimi në BE, azilkërkuesit, bashkëpunimi mes vendeve të rajonit etj.
Merkel u shpreh e gëzuar që erdhi në Shqipëri, sipas premtimit që ajo i bëri kryeministrit Rama në samitin e Berlinit, ndërsa tha se ndihej mirë që pa aq shumë njerëz që e prisnin jashtë. Ajo tha se Shqipëria dhe Gjermania kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se kanë mundësi për të forcuar bashkëpunimin në sektorin ekonomik.
Ndërsa foli për procesin e integrimit Merkel tha se Gjermania e do integrimin e Shqipërisë dhe të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor, por se ky proces nuk ka afate dhe për të arritur duhen përmbushur të gjitha standardet.
“Mbajta premtimin dhe jam e gëzuar që erdha në Shqipëri, pashë edhe gëzimin e popullit që po më përshëndeste. Marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë të mira. Ne kemi mundësi të bashkëpunojmë edhe më shumë sidomos në aspektin ekonomik. Me kryeministrin Rama folëm për shumë gjëra, përfshirë edhe marrëdhëniet mes shteteve në rajon. Folëm për shkëmbimin e vizitave me kryeministrin Vuçiç, ku për vite të tëra ka pasur marrëdhënie të tensionuara por që për fat të mirë janë kapërcyer. Folëm për kapërcimin e vështirësive mes shteteve në rajon, për Kosovën, Maqedoninë, dhe ku bashkëpunimi në rajon do të jetë i suksesshëm nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor do ju sigurohet perspektiva e BE. Më lejoni t’u them se është në interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të sigurt të anëtarësimit dhe ta bëjnë realite t atë. Për Shqipërinë nuk mund të them se ka afate të qarta për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ritmi varet nga përmbushja e standardeve. Duhet një plan i caktuar masash dhe veprimesh; për shembull është bërë progres nga ana e Shqipërisë me reformën në drejtësi por nuk është arritur plotësisht standardi i duhur. Vendet që duan të anëtarësohen pyesin se pse po zgjatet kaq shumë ky proces. Unë them se ky proces nuk ngadalësohet në mënyrë artificiale, e megjithatë them se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim. Ne e duam anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Merkel.
Lidhur me çështjen e integrimit edhe kryeministri Rama tha se perspektiva për ne BE nuk është e ndarë, por e përbashkët, ashtu sikurse shtoi kryeministri: “besoj se integrimi i Ballkanit nuk është vetëm nevojë e jona, por edhe nevojë e BE-së”.
Ai shprehu bindjen se kancelarja Merkel jo vetëm me këtë vizitë por edhe më herët ka treguar se do e mbështes Shqipërinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për këtë proces të rëndësishëm të integrimit në familjen evropiane.
“Duke pasur në tryezën tonë të punës listën e kërkesave që duhet të plotësojmë bazuar mbi 5 prioritet e përcaktuara nga Komisioni Europian; ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë që në fund të vjeshtës së këtij viti do ti plotësojmë që të gjitha, përfshirë edhe gjithë paketën e reformës në drejtësi që do i kalojë Parlamentit për miratim si një nga reformat më rrënjësore të bëra ndonjëherë në Shqipëri prej çerek shekulli. Në atë moment na lind e drejta që të kërkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE,” tha kryeministri Rama ndërsa shtoi se ky është një proces që vlerën e ka këtu dhe për shqiptarët, dhe se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë për hapjen e negociatave.