Merkel në Tiranë-takon vëtëm krerët e shtetit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në Europë, e përfshirë në valën e krizës greke, kancelarja Angela Merkel ndërmerr një tur në Ballkan, duke nisur vizitën e parë të saj në shtetin fqinj me Greqinë, Shqipërinë. Merkel pritet të vizitojë Shqipërinë dhe më pas Serbinë, dy shtete që kanë dhënë sinjale bashkëpunimi duke ‘shkrirë akujt’ falë ndërhyrjes së fuqishme të kancelares gjermane. Më datën 8 korrik, Merkel do të vizitojë Tiranën, e për këtë, Kryeministria ka publikuar axhendën e takimeve të saj. Nga të dhënat mësohet se kancelarja do të qëndrojë në vendin tonë 4 orë e 25 minuta. Merkel mbërrin të mërkurën në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 13:50. Në orën 14:15, delegacioni gjerman do të mbërrijë në Kryeministri, ku do të zhvillohet një ceremoni mirëseardhjeje. Takimi ‘kokë më kokë’ është parashikuar të zgjasë 15 minuta, për vijuar me ballafaqimin mes dy delegacioneve, i parashikuar të zgjasë 45 minuta. Ndërsa konferenca për shtyp Rama-Merkel do të zgjasë 30 minuta, për t’ia lënë vendin një takimi në Presidencë më kreun e shtetit, Bujar Nishani. Vizitën në Tiranë, Merkel do ta mbyllë me një fjalë përshëndetëse në Forumin e Ekonomisë në Tirana Business Park. Sipas Endri Fugës, drejtor i Zyrës së Komunikimit në Kryeministri, kjo vizitë e kancelares Merkel në Shqipëri vjen pas ftesës nga Kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi në Berlin.
Fuga u tha gazetarëve se kjo vizitë ka dy aspekte, atë politik dhe rajonal, në kuadër të Konferencës Ballkanike të Berlinit, duke konfirmuar se pjesë e diskutimeve do të jetë edhe Kosova. Ndërsa në këtë vizitë të shkurtër nuk është parashikuar takimi me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe as me liderin e opozitës, Lulzim Basha. Kjo është vizita e dytë zyrtare e një kancelari gjerman në Shqipëri pas asaj të Gerhard Schroeder në 1999, që ishte në kuadër të vizitës së trupave gjermane të instaluara në ndihmë të refugjatëve nga Kosova. Më 30 qershor, Merkel priti në Berlin, Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, disa ditë pas mbajtjes së bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel. Kancelarja gjermane, pas Tiranës, do të zhvillojë dhe një vizitë në Beograd. Ndërsa nuk është konfirmuar nëse do të udhëtojë drejt Bosnjë-Hercegovinës. Sipas mediave gjermane, gjatë këtyre vizitave, Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Europian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve. Ndërsa vendet e Ballkanit po presin mbajtjen e samitit të Vjenës, i cili pason atë të Berlinit.