Merkel: Shqipëria ka ende shumë probleme të mëdha

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e sheh perspektivën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe duke u ndalur te Shqipëria, thotë se ajo ka bërë progres por sikurse thekson, “Ka ende shumë probleme të mëdha”.
“Megjithë vështirësitë që ende kemi, ka përparime”, tha zonja Merkel katër ditë para udhëtimit të saj dyditor për në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë në një mesazh të shkurtër në video që e gjeni më poshtë.
Vetëm perspektiva e pranimit mund të sjellë zgjidhjen e konflikteve mes vendeve të rajonit, – shtoi ajo.
Shqipëria ka ende shumë për të bërë
Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por gjithsesi vendi ka statusin e vendit kandidat për BE, – thotë zonja Merkel duke u përqendruar në fund të videomesazhit të saj, tek vendi ynë. “Në përgjithësi mund të thuhet se kemi bërë progres, por ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”, – theksoi kancelaria gjermane Merkel.
Fluksi i refugjatëve
Temë e vizitës së Merkelit do të jetë edhe fluksi i pandërprerë i refugjatëve nga Ballkani për në Gjermani. Kancelarja bëri të ditur se ajo do të prekë edhe gjendjen e vështirë të romëve në Serbi. Serbia ka ndërmarrë një sërë masash, “që zbusin si të thuash diskriminimin e romëve, edhe pse duhet thënë qartë, se ka ende diskriminim.”
Merkel mbrojti edhe kategorizimin e Serbisë si shtet të sigurtë origjine. Për këtë flet ndër të tjera fakti, se në Gjermani nuk pranohet gati asnjë kërkesë për azil nga Serbia. Edhe Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera evropiane e kanë shpallur Serbinë shtet të sigurtë origjine.
Kusht, raportet e Serbisë dhe Kosovës
Me Serbinë janë hapur disa kapituj të bisedimeve për pranim, por jemi akoma në fillimet. Për kancelaren zgjerimi i bisedimeve varet edhe nga përparimet në raportet e Serbisë dhe Kosovës. “Ne përfshijmë këtu edhe masat në lidhje me Kosovën, me qëllim që të dyja palët të përpiqen me të vërtetë për të ecur përpara”, theksoi Merkel. “Ka akoma jashtëzakonisht shumë për të bërë, por ka me të vërtetë shenja të kënaqshme. Dhe ne insistojmë që ky proces të përshpejtohet”