Gjermania, pavarësisht valës së madhe të emigrantëve që ka përfshirë Europën, tregohet e gatshme që të pranojë punëtorë nga Kosova dhe Shqipëria.
Këtë e ka bërë të ditur dje vetë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, i cili thotë gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova i kanë kërkuar vendit të tij të bëjnë çdo gjë për të ndaluar valën e emigrimit.
“Qeveritë e tyre (Shqipërisë dhe Kosovës) po na kërkojnë që të bëjnë çdo gjë, që të rinjtë të mos largohen nga vendi në këtë mënyrë”, – shprehet ministri në një intervistë për “Euronews”.
De Maiziere thotë se, zgjidhje mund të jetë që këta të rinj të emigrojnë në Gjermani për të punuar, por jo për të kërkuar statusin e azilantit. “Ata duhet të kenë një kontratë me një kompani gjermane dhe më pas mund të vijnë si emigrantë për punë”, – shprehet ministri gjerman.
De Maiziere shprehet se Gjermania ka 43% të kërkesave për azil në të gjithë Europën dhe se kjo është një sfidë e madhe, edhe pse vendi i tij është shumë mirë i organizuar dhe i pasur.
“Sa i takon masave kombëtare, po hasim sfida të mëdha. Duhet t’u gjejmë refugjatëve një çati mbi kokë, sepse dimri është afër”, – thotë ai.
Ai ka dhe një mesazh për të gjithë ata shqiptarë, qofshin të Shqipërisë apo të Kosovës, që kërkojnë azil në Gjermani.
“Nëse një vend ka aplikuar për në Bashkimin Europian apo është aktualisht partner i NATO-s, nëse respekton demokracinë, atëherë nuk ka asnjë arsye për qytetarët e këtij vendi që të kërkojnë azil në Europë. Kjo është e papranueshme dhe në fakt duhet dënuar”, – thotë ai.
