Në 17 vjetorin e Betejës së Loxhës është vlerësuar lartë heroizmi i luftëtarëve të rënë në këtë betejë, si Rrustem Bruqi, Enver Alaj, Lumni Surdulli dhe prijësit të kësaj beteje kolonel Tahir Zemaj. Por, themelimi i Gjykatës Speciale, nuk u la pa u përmendur as në këtë akademi nga kryeministri Isa Mustafa, i cili tha se Kosova duhet të përmbush obligimet e saj përball bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha në këtë akademi se përmasat e krimeve që bëri Serbia ndaj popullit shqiptarë e shtynë bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja dhe shpopullimi që i kanosej nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.
Prandaj, sipas kreut të ekzekutivit asnjë lloj pretendimi për t’i vënë në peshojë ato ngjarje të tmerrshme me krimet individuale, që mund të ketë kryer ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk mund të ketë kurrfarë baze.
“Republika e Kosovës si shtet i ri, si shtet evropian i ligjit dhe i së drejtës, duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përmbushur obligimet dhe zotimet tona përpara drejtësisë ndërkombëtare, të cilën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë n uk duhet t’i paragjykojmë si të njëanshme dhe selektive. Lufta e popullit të Kosovës ka qenë luftë për liri, ka qenë luftë për ekzistencën tonë në këto troje, sepse dhuna dhe terrori serb e kishte sjellë popullin e Kosovës në një situatë hamletiane – të jesh apo të mos jesh!..”, tha Mustafa
I pari i Qeverisë shtoi se sot po këta miq që dikur e ndihmuan Kosovën ta fitoj lirinë, po kërkojnë që të Kosova të ballafaqohet vet me aktet e liga të mund të kenë kryer individë dhe të dëshmojnë së Kosova është e aftë të vejë drejtësi. Madje, tha se përveç kërkesës për zbardhjen e rasteve që po angazhohet bashkësia ndërkombëtare, duhet të kërkojnë edhe zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.
“Sot po këta miq që na ndihmuan të arrinim lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë që të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të kenë kryer individët, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo për secilin prej nesh. Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtoj një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend. Veç kërkesës për të zbardhur rastet për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, ne e kemi për borxh të zbardhim të gjitha vrasjet politike të pasluftës. Këtë ua kemi borxh viktimave, ua kemi borxh familjarëve të tyre, ua kemi borxh bashkëluftëtarëve të tyre dhe ia kemi borxh shtetit të Kosovës. Institucionet tona duhet ti lirojmë nga arenat ku njëra palë fajëson tjetrën për vrasje dhe krime”, theksoi Mustafa.
Ndërkohë dënimin ndaj atyre që kanë kryer krime në luftën e UÇK-së, kërkoj edhe përfaqësuesi i tri familjeve të tre dëshmorëve, Bruqi, Alaj e Surdulli, Sylë Bruçi, madje tha se ka pasur krime të kryera nga individë dhe grupe individësh të UÇK-ë.
Ndërsa, duke folur për betejën e Loxhës, kryeministri Isa Mustafa tha se heronjtë dhe dëshmorët e kësaj beteje dhe të gjitha betejave të zhvilluara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të vlerav e të mirëfillta demokratike, në të cilën jeta e secilit qytetar, pa dallim kombi, besimi a race, është njëlloj e vlefshme, është njëlloj e pacenueshme.
Ndërsa, kolonel Fadil Hadergjonaj, pjesëmarrës i Betejës së Loxhës tha se Beteja e Loxhës radhitet në historinë me të re të kombit.
Beteja e Loxhës u zhvillua me 6 korrik të vitit 1998, e cila ishte e udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj në të cilën u vranë Rrustem Bruqi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, derisa shumë të tjerë u plagosën.
