Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili është takuar sot me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, pret që nga këto bisedime të arrihen katër marrëveshjet për të cilët po bisedohet ndërmjet dy shteteve.
Telekomi, Energjia, Asociacioni i Komunave dhe Parku i Paqes janë katër temat për të cilat dy kryeministrat, Mustafa e Vuçiq po mundohen që të nënshkruajnë marrëveshje.
Mustafa tha në një intervistë për Televizionin publik, se qëndrimet mes dy palëve sa i përket Telekomit dhe Energjisë janë përafruar dhe pret që marrëveshjet të arrihen sot.
Ai, bëri të ditur se takimet kanë zgjatur me orë të tëra ndërsa më vonë do vazhdojë edhe një raund tjetër.
“Po punojmë në të katër fushat në përpjekje për arritjen e marrëveshjeve dhe nënshkrimin e tyre. Kemi përafruar mendimet. Është përparim mjaftë i mirë dhe do të mundohemi maksimalisht të punojmë në arritjen e marrëveshjeve”, tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa bëri me dije se ka ndërruar biletën për të udhëtuar në Berlin dhe nesër në mëngjes pret që të takohet me kancelarin gjermane Angela Merkel.
Mustafa tha se do të kërkojnë nga Gjermania mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave.
