Kazermën “Evropianet e Rinj” në Pomozotin, sot e vizituan komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneral Timothy Orr së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Gjatë kësaj vizite, ata u priten nga kolonel Muharrem Rrahmani, komandant i Brigadës së Mbështetjes Operacionale dhe kolonel Shaip Haziri, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC). Me këtë rast, dy gjeneralët, përmes një prezantimi nga koloneli Shaip Haziri u njoftuan rreth strukturës, trajnimeve dhe të arriturave të përgjithshme të këtij Batalioni. Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Orr, shprehu kënaqësinë e veçantë për vizitën që po i bënë njësiteve të FSK-së, ku para oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së, mbajti një ligjëratë shumë të frytshme në fushën e zhvillimit profesional të oficerëve. Interesimi për ligjëratën e komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovë gjeneralit Orr, ishte mjaft i madh. Oficerë të Brigadës së Mbështetjes Operacionale dhe njësive të saj, i parashtruan pyetje të shumta gjeneralit Orr. Me këtë rast, gjenerali Timothy Orr u shpreh mjaft i kënaqur me suksesin dhe punën e Regjimentit të Mbrojtjes Civile. ”Ky Batalion ka një rëndësi të veçantë për FSK-në, duke pasur parasysh se Institucioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është institucioni më i respektuar dhe qytetaret ju shohim me besueshmëri dhe admirim, e gjithë kjo është arritur përmes trajnimeve dhe profesionalizmit tuaj”.
Më pastaj, pjesëtarët e RMC-së, demonstruan disa ushtrime të Kërkim-Shpëtimit Urban, Deminimit dhe të Mbrojtjes kimike Atomike Biologjike (MKAB), ku të gjithë pjesëmarrësit patën rastin të shohin shkathtësitë dhe përgatitjen e pjesëtarëve të këtij Batalioni.Në këtë vizitë të pranishëm ishin edhe atasheu Ushtarak i Ambasadës së SHBA-ve, në Kosovë, kolonel Antony Butts, shefi i Zyrës së ODC-së kolonel Bruce Murphy, kolonel Muharrem Rrahmani komandant i Brigadës së Mbështetjes Operacionale si dhe pjesëtarë të lartë të FSK-së dhe të ushtrisë të SHBA-ve.



