Ndërtimi i Kosovës së Re mund të filloj në gjysmën e dytë të vitit 2016

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ndërtimi i termocentralit Kosova e Re pritet të filloj në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Ekonomia, plani i parë i diskutimeve me kancelaren Merkel.Statusi i Trepçës nuk zgjidhet këtë vit. Numri i të papunëve në Kosovë, shqetësues. PTK nuk privatizohet këtë vit. Për këto dhe të tjera tema, ekskluzivisht flet për KosovaPress, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Ministri Blerand Stavileci , tha se deri në fund të këtij muaji pritet që t’i përfundojnë të gjitha procedurat me kompaninë amerikane që ka shprehur interesimin për ta zhvilluar projektin për Termocentralin Kosova e Re, rreth modelit financiar, qëndrueshmërisë me energji elektrike dhe çmimin që do ta paguajnë qytetarët.
Pas kësaj procedure, Stavileci thotë se do të hyjnë në fazën tjetër ku do ta shpallet ofertuesi i preferuar sipas procedurave dhe në momentin e arritjes së marrëveshjes do të nis faza tjetër, ajo e ndërtimit.
Stavileci thotë se nëse bisedimet shkojnë sipas planit, pretendojnë që ndërtimi i Kosovës së Re të nisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, sipas tij askush nuk mund ta di me saktësi se kur do të nisë, po ajo që ata po bëjnë tash është që ta përmbyllin fazën e parë për të vazhduar me fazën e ndërtimit.
Ndërsa, rreth interesimit të kompanisë gjermane “Bilfinger” për të ndërtuar kapacitete të reja në Kosovën A, Stavileci tha se kjo kompani ka bërë një ofertë dhe një prezantim projekti, por që nuk e arsyeton ekonominë e tij. Sipas ministrit, për të qenë oferta e plotë, duhet që të ketë modelin financiar e ligjor se nga do të jenë burimet e financimit për atë projekt.
Për investimet e kompanive gjermane, është biseduar edhe me kancelaren Angela Merkel, gjatë vizitës që ka pasur kryeministri Isa Mustafa, ku pjesë e delegacionit ishte edhe ministri Blerand Stavileci. Ai thotë se me kancelaren biseduan rreth fatit të ekonomisë së Kosovës, e cila lidhet ngushtë me zhvillimet politike.
Ministri Blerand Stavileci ka folur edhe për kombinatin metalurgjik Trepça, për të cil in tha se do ta rregullojnë statusin e tij me një strategji zhvillimore dhe projektligj të veçantë, por kjo nuk pritet të bëhet gjatë këtij viti.
Megjithatë, ai thotë se një pjesë mund të kryhet brenda këtij viti dhe një pjesë tjetër në fillim të vitit tjetër, ndonëse ai në këtë proces nuk e sheh si me të rëndësishëm faktorin kohor, pasi sipas Stavilecit, më e rëndësishme është cilësia e strategjisë dhe e ligjit, modeli ekonomik, kreativ dhe i qëndrueshëm, me të cilin gjiganti Trepça do të mund të rimëkëmbet.
Derisa, ka mohuar se prolongimi i zgjidhjes së statusit të Trepçës po bëhet për shkak të futjes në agjendën e bisedimeve me Serbinë të cilat po zhvillohen në Bruksel.
Ministri Stavileci ka folur edhe për numrin e papunësisë, ku sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktualisht numri i të papunëve në vend shkon deri në 35 përqind. Stavileci tha se pa dashur t’i analizoj apo vlerësoj këta numra, përqindja është shqetësuese.
Për këtë, ai thotë se Qeveria fokusin kryesor në programin e saj e ka në agjendën ekonomike, ku do ta përkrahin sektorin privat, sidomos sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas Stavilecit, këto ndërmarrje duke qenë të përkrahura nga Qeveria dhe nga sektori financiar me politika të ndryshme, do të zhvilloheshin dhe do t’i zgjeronin kapacitetet prodhuese, përpunuese, të ofrimit të shërbimeve, të produkteve të reja, çka do të bënte që të hapeshin vende të reja pune.
Ndërsa, sa i përket privatizimit të Post ës dhe Telekomit të Kosovës, ministri Stavileci tha se këtë vit nuk do privatizohet PTK-ja.
Ai shtoi se do të jenë dy faza, para privatizimi dhe privatizimi, pas një procesi të dështuar vitin e kaluar për ta privatizuar PTK-në. Stavileci tha se do të investojnë në PTK për t’ia rritur vlerën në treg edhe pastaj do të nisin procedurat e privatizimit.