Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, e organizuar pranë Odës Ekonomike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 8 prill ka vendosur që të ndërpresë të gjitha format e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.
Kjo shoqatë i ka dërguar një njoftim kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që precizon ndërprerjen e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.
Ndërprerja e të gjitha formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14 prill (nesër), ndërsa në vijimësi Shoqata do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të veprimit të saj.
Ky vendim vjen nga fakti se Komuna e Prishtinës e ka rënduar dhe e ka penguar zhvillimin e bizneseve të ndershme, duke ngritur barriera dhe shumë vështirësi në punën afariste-biznesore.
Në njoftimin e dërguar Shpend Ahmetit, ndër të tjera thuhet se “shoqata ka vlerësuar se ka bërë të pamundurën për gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe ka shprehur gatishmërinë e saj maksimale për të tejkaluar të gjitha situatat e mundshme, pengesat dhe parregullsitë nga kushdo që kanë ardhur ato, me të vetmin qëllim krijimin e kushteve për vazhdimin e aktiviteteve afariste-biznesore”, raporton portali standardi.eu.
“Ky është vendim unanim i shoqatës, se lidhur me kërkesat e parashtruara deri me tani, inicimi për marrëveshje të mundshme për çështje të caktuara si dhe parashtrimet në kontaktet e drejtpërdrejta me kryetarin e Komunës, apo drejtorin e urbanizmit nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret. Duke pasur parasysh se tani jemi në muajin e katërt të vitit 2015, ne kemi konsideruar se vazhdimi i mëtejmë i përpjekjeve për të tejkaluar gjendjen shumë të rëndë në lëmin e ndërtimtarisë, e cila bazuar në praktikën e gjertanishme është joracionale, pasi që më nuk është e besueshme që të ketë zgjidhje të shpejta e konkrete për krijimin e kushteve për punë”, thuhet në njoftim.
Ndërprerja e formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14.4 2015, ndërsa Shoqata do të përcaktojë për hapat e mëtejmë të veprimit të saj.
