Reforma fiskale e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës po vlerësohet se do të ndikojë negativisht tek qytetarët. Këto ndryshime negative po përcillen me faktin se ulja e TVSH-së nga 16% në 8% për disa produkte bazë nuk do të kenë ndonjë efekt të madh, sikurse rritja nga 16% në 18% për mbi 100 mijë produkte.
Në këtë situatë vlen të theksohet se kjo reformë fiskale ka ardhur si nevojë e Qeverisë për rritje të të hyrave për arsye se në prag të zgjedhjeve ka marrë një vendim ad-hoc pa ndonjë arsyeshmëri financiare, për rritjen e shpenzimeve përmes rritjes së pagave për punonjësit e sektorit publik.
Hulumtuesi nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, Berat Thaqi në një intervistë për Kosovapress tregon arsyet se pse ky ndryshim do të jetë negativ për xhepin e qytetarit.
Ulja e TVSH-së nga 16% në 8% do të përfshijë konkretisht disa produkte të caktuara si buka, mielli, orizi dhe disa shërbime tjera, si TVSH-në në energji, në shërbimet e ujit, do të jetë një përgjysmim i TVSH-së. Por, sipas Thaqit, kjo do të ndikojë shumë pak në uljen e kostos së jetës së qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, krahas reformës fiskale për prodhuesit kosovarë është e domosdoshme që të bëhet edhe përmirësimi i sundimit të ligjit, sepse shumë shpesh reformat tjera pa përmirësim të ligjit, kanë pasur efekt zero.
Thelbi i këtij problemi sipas tij e ka zanafillën që kur ka filluar rritja e pagave për sektorin publik, atëherë në prag të zgjedhjeve janë premtuar këto rritje, për interesa të ngushta politike dhe tash vendi gjendet në një situatë shumë të keqe, ku nga rritja e pagave kanë përfituar 90 mijë persona nga buxheti publik.
Në këtë situatë për këta 90 mijë do të paguajnë të gjithë qytetarët tjerë, edhe ata të sektorit privat edhe ata të papunët, ata të cilët nuk kanë marrë rritje pagash, pra do të paguajnë për këtë vendim i cili ka qenë i pamatur dhe e ka futur buxhetin e Kosovës në një gjendje të tillë.
Duhet theksuar se në mars të këtij viti Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim që të aprovojë disa reforma fiskale, ndër to edhe ndryshimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, ndryshimin e Ligjit për tatimin në korporata dhe ndryshimin e Ligjit për të ardhurat personale
