Konflikti në Ukrainë ka rezultuar me armatimin e dukshëm të shteteve të Baltikut, Ukrainës, Polonisë dhe Rusisë, dëshmon raporti më i ri i Institutit të Stokholmit për Hulumtimin e Paqes, SIPRI.
Si rezultat i konfliktit në lindje të vendit, Ukraina ka shtuar për 23 për qind shpenzimet për ushtri në 3.8 miliardë euro.
Është interesant fakti se në vendin e dytë të shteteve me shpenzimet më të mëdha për ushtri, në listën e bërë nga SIPRI, rreshtohet Mali i Zi, ku në periudhën 2013-2014 shpenzimet ushtarake kanë shënuar rritje prej 19.14 për qind.
Edhe shtetet fqinje të Ukrainës kanë shtuar shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Kështu, Polonia rreshtohet në vendin e tretë, pasi që ka regjistruar një rritje prej 12.86 për qind. Në Poloni rritja e shpenzimeve po arsyetohet me modernizimin e ushtrisë.
Sipas SIPRIT, edhe Rusia po armatoset. Qysh para fillimit të krizës në Ukrainë, Moska kishte planifikuar ripërtëritjen e 70 për qind të sistemeve të armatimit, proces ky që pritet të zgjasë deri në vitin 2020.
Rritje të shpenzimeve në fushën ushtarake kanë pasur edhe shtetet e Baltikut, Letonia, Estonia dhe Lituania, në kuadër të përpjekjeve të të realizuar objektivat e NATO-s.RTV21
