Në Ulqin sot hapet Panairi i 15-të i Librit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit, Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku – 4 gusht. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit në Ulqin gjatë këtij sezoni,raporton Kultplus.
Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike.
Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e Rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezent gjatë ditëve të Panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit.
Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. Para së gjithash letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj. /