Ka arritur fundin turi i vajzave të edicionit të këtij viti të “Miss Shqipëria”. Tridhjetë konkurrentet e këtij spektakli i kanë kapërcyer me kohë emocionet e ditëve të para. Të mbledhura në grupe ku janë të lexueshme miqësitë e lindura përgjatë këtyre javëve, bukuroshet shqiptare kanë prekur tokën dhe detin, nga veriu në jug.
Tanimë grupi është stacionuar në Voskopojë, ku mbrëmjen e së dielës do të mbahet spektakli i madh dhe ku mbretëresha në fuqi e bukurisë, Anisa Petrela, do t’i dorëzojë kurorën një tjetër mbretëreshe që do të zgjidhet në skenën gjigante të ngritur në natyrë, në këmbët e Kishës së Kryeëngjejve në qytezën më histori qindra vjeçare.
Dhe ndërsa vajzat janë të impenjuara me klipet, këtë vit të konceptuara nën titullin, “Mal, Det, Lumë”, stafi i “Deliart Association” ka mbyllur edhe detajet e spektaklit që transmetohet të dielën e 5 korrikut. Në mbrëmjen që do të prezantohet nga Zamira Kita dhe Enkel Demi, aktori Herjon Mustafaraj do të interpretojë bashkë me vajzat konkurrente një musikal të shkruar nga Shpëtim Saraçi, mbi motivet e këngës së njohur “Luleborë”.
Gjithashtu këngëtarja Manjola Nallbani do të interpretojë në skenën e bukurosheve shqiptar e këngën e saj të re, siç do të jenë të ftuar edhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti dhe Devis Xherahu.
Eli Fara do të ngjitet në skenën e Voskopojës gjithashtu me këngën e saj të re dhe klipin e realizuar me vajzat konkurrente të këtij viti.
Neki Emra, fitues i “Netëve të Klipit Shqiptar”, i mbajtur para pak javësh në Ulqin do të interpretojë gjithashtu në spektaklin, skenari i të cilit mban firmën e Alda Bidës dhe Kozeta Kurtit. Pjesë e spektaklit do të jenë edhe vetë vajzat konkurrente për koreografinë e të cilave është kujdesur balerina, Olta Ahmetaj.
E pranishme në event është gjithashtu edhe Miss Santa Ana Pilar, organizatore zyrtare e Miss Globe 2015 në Toronto të Kanadasë, gjithashtu producente e Miss Globe Kanada. Ajo do të ndjekë nga afër përzgjedhjen e “Miss Shqipëria 2015”, e cila në fundvjeshtën e këtij viti do të udhëtojë drejt Torontos bashkë me stafin shqiptar të Deliart Association, i cili do të kryesojë për herë të parë punën në një event ndërkombëtar, jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kështu pritet të përmbyllet edicioni i këtij viti i “Miss Shqipëria”, i cili deri në mbërritjen e destinacionit final ndoqi rrugëtimin e zakonshëm nëpër Shqipëri.



