Ngritet aktakuzë ndaj Slobodan Gavriqit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër serbit S. G për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit, pasi vitin e kaluar ishte kapur nga Policia e Kosovës në lagjen Arbëria me 12 kilogram eksploziv.
Në një njoftim të Prokurorisë Speciale, thuhet se i pandehuri S. G, me qëllim që seriozisht ta frikësoj popullatën dhe të destabilizoj dhe të shkatërroj strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
“I pandehuri S. G. gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219 kilogram, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri S. G ka kryer veprën penale, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3 lidhur me par. 1 dhe nga neni 135 par. 1, pika 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka sqaruar se ekspertiza e eksplozivit është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia Kosovare e Forenzikës.
Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i vazhdoj masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.
Serbi i cili po ak uzohet për terrorizëm u kap vitin e kaluar në lagjën Arbëria, të cilit iu gjetën mbi 12 kilogram eksploziv.