Ngritni gjobat!

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Gjendja e sigurisë në komunikacionin rrugor në vend është shqetësuese dhe është përkeqësuar dukshëm gjatë muajve të verës, ku si pasojë ka pasur edhe humbje jete.
Kështu u tha në Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë.
Drejtori i Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Sheremet Ahmeti tha se nuk mund të jenë të kënaqur me sigurinë në komunikacionin rrugor, ndonëse në periudhën janar-gusht ka pasur më pak të vdekur se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, sipas tij, të gjitha statistikat tjera ku përfshihen lëndimet, dëmet materiale flasin për ngritjen e numrit gjatë këtij viti.
“Gjendja çfarë është sigurisht që nuk mund të jemi të kënaqur, sepse në rrugë të Kosovës ka ende viktimat të cilët humbin jetën por nëse ju referohemi të dhënave e që kemi janar-gusht të këtij viti, mund të iu them se gjendja është pak më e mirë se sa në vitin paraprak, sepse kemi diku 21.5 për qind më pak aksidente me fatalitet, që do të thotë janë 156 aksidente më pak, ndërsa, 23.60 për qind më pak persona që kanë humbur jetën, apo 21 persona më pak të vdekur. Që do të thotë se në vitin paraprak kanë ndodhur 76 aksidente me fatalitetet, ndërsa këtë vit 60. Vitin e kaluar kanë humbur jetën 89, ndërsa këtë vit 68, dhe fatkeqësisht të gjitha statistikat tjera flasin që janë në ngritje”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se shtatori është muaji më i rëndë i këtij viti, pasi që vetëm brenda këtyre ditëve kanë qenë 14 persona të vdekur, derisa vitin e kaluar, gjatë gjithë shtatorit ishin 10 persona të vdekur.
Ndërsa, Muhamet Krasniqi nga Kolegji “Tempulli”, paraqiti vërejtjet e tij lidhur me projektligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, pasi që nuk kanë qenë të përfshirë ekspert të kësaj fushe.
Sipas Krasniqit, problem tjetër serioz mbetet mos respektimi i ligjit aktual për Siguri në Komunikacion.
“Kosova ende nuk ka një strategji kombëtare për sigurinë në rrugë. Janë punuar mjaftë drafte të ndryshme të strategjisë, por fatkeqësisht vendi ynë është vendi i vetëm në rajon i cili vazhdon të mos ketë të definuar një strategji kombëtare sa i përket trajtimit të sigurisë në rrugë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, tha Krasniqi.
Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk patën një përgjigje të prerë për këtë çështje, raporton KP.
Arbër Zhitia nga Ministria e Infrastrukturës deklaroi vetëm se tashmë ka filluar të punohet për konsolidimin e grupit lidhur me Ligjin për Siguri në Komunikacion, por nuk përmendi ndonjë ekspert tjetër veçse ata nga ana e MI-së. Sipas Zhitisë, lajm i mirë është që strategjia për sigurinë në rrugë, tanimë ka kaluar në Qeveri.
Ndryshe, nga ky takim u kërkua që të bëhet ngritja e çmimit të gjobave për kundërvajtje pasi që me çmimet aktuale nuk mund të pritet disiplinim i ngasësve të automjeteve në komunikacionin rrugorë, me çka edhe sipas Policisë së Kosovës parandalohen aksidentet me fatalitet.