Një ditë pas referendumit në Greqi, radhë para bankomatëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Një numër i madh i grekëve kremtuan gjatë tërë natës kremtuan fitoren në referendum të kampit që refuzoi kushtet e vendosura nga kreditorët ndërkombëtarë, për vazhdimin e ndihmave për Athinën. Tani të gjithë pyesin se si më tutje. Bankat në Greqi edhe sot mbetën të mbyllura dhe u krijuan sërish radhë para bankomatëve.
Gati dy e treta e grekëve kremtuan fitoren në referendum, më saktë refuzimin e kushteve të vendosura nga kreditorët ndërkombëtarë për vazhdimin e pakos së ndihmave për Athinën. Një ditë pas referendumit, ministri grek i Financave, Janis Varufakis, dha dorëheqje, ndërsa bankat po qëndrojnë të mbyllura. Nga bankomatët grekët edhe më tutje kanë mundësi të nxjerrin nga 60 euro në ditë, ndërsa sipas informatave jozyrtare, kjo shumë mund të zvogëlohet gjatë ditëve në vijim.
Sheshi Sintagma në Athinë të dielën në mbrëmje ishte i mbushur me njerëz që kremtonin, duke klithur Jo dhe duke i dërguar një porosi të qartë Evropës.
Megjithatë, problemet nuk janë eliminuar. Greqia nuk ka para, kontrolli i kapitalit ende është në fuqi dhe bankat mbesin të mbyllura.
Tani grekët janë në pritje se si do të veprojë Qeveria e tyre kundrejt Brukselit gjatë ditëve në vijim.
Shtypi grek në faqet e para publikoi rezultatet e referendumit, me vlerësimin se bëhet fjalë për fitore të Qeverisë dhe se kjo fitore nuk nënkupton largim nga Bashkimi Evropian dhe eurozona.
Në referendum grekët dëgjuan porositë e qeverisë së kryeministrit Aleksis Cipras dhe votuan kundër kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë.
Sipas rezultateve zyrtare, 61.31 për qind e qytetarëve votuan kundër kushteve të kreditorëve, ndërsa 38.69 për qind votuan në favor të kushteve.
Në fjalimin drejtuar kombit pas publikimit të rezultateve, Cipras porositi se me votimin kundër kushteve, Greqia ka hapur një kaptinë të re të historisë dhe se Greqia është e gatshme të vazhdojë negociatat me kreditorët./ 21 Media